Barcelona merr goditje tjetër, Pique e Roberto pritet të mungojnë më gjatë

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ka marrë një lëndim të pjesshëm të ligamentit kryesor të gjurit të djathtë, kështu që ai do t’i mungojë klubit për një periudhë, ndonëse nuk është bërë e ditur nga klubi katalunas se sa do të mungojë.

Barcelona ka treguar se do të shikohet se si po zhvillohet lëndimi para se të merret një vendim.

Ndërkohë Barcelona ka njoftuar se në testet që i është nënshtruar sot Sergi Roberto, është konstatuar një lëndim më i rëndë në kofshën e tij të djathtë, më saktësisht një këputje muskulore. Nga klubi është llogaritur se ai do të mungojë deri në dy muaj.

Pique e Roberto kanë marrë lëndimet mbrëmë në humbjen 1:0 që Barcelona e pësoi në udhëtim ndaj Atletico Madridit në La Liga.

Barcelona pas tetë ndeshjeve i ka 11 pikë dhe është numri më i vogël i pikëve i mbledhur nga Barça pas tetë xhirove në kampionat që nga edicioni 1991/92. Atëbotë Barcelona e kishte fituar titullin e kampionit.