Numër i lartë i rasteve të reja dhe vdekjeve me koronavirus, situatë e rënduar në klinika dhe spitale

Edhe sot në Kosovë numri i rasteve të reja me koronavirus ka qenë i lartë, por i lartë ka vazhduar të mbetet edhe numri i vdekjeve.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 807 raste të reja me koronavirus nga 1816 testime të bëra, shkruan lajmi.net.

Përvëq kësaj, në 24 orëshin e fundit në Kosovë janë regjistruar edhe 14 raste të vdekjes.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.816 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 807 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (87, 78, 56 vjeç), Fushë-Kosovë 2 raste (69, 51 vjeç), Prishtinë 2 raste (77, 73 vjeç), Gjilan 1 rast (77 vjeç), Kamenicë 1 rast (87 vjeç), Mitrovicë 1 rast (73 vjeç), Podujevë 1 rast (85 vjeç), Rahovec 1 rast (70 vjeç), Shtime 1 rast (61 vjeç) dhe Suharekë 1 rast (71 vjeç).”, sqarohet në raportin e IKSHPK-së.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë regjistruar 32,022 raste me koronavirus nga 125,792 persona të dyshuar.

Nga ky numër, 874 persona kanë gjetur vdekjen ndërsa deri më sot, 19,024 janë shëruar.

Së këndejmi, numri i rasteve aktive në Kosovë është 12,124.

“Numri total i rasteve pozitive është 32.022 raste nga 125.792 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 874 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 677 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 19.024 raste, kurse numri i rasteve aktive është 12.124.”, thuhet në raportin e IKSHPK-së.

Në SHSKUK së bashku me Klinika dhe Spitale, numri i pacientëve të shtrirë me koronavirus është 552.