Mbi 200 infuzione intravenoze jepen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në “Kalabri” për një ditë.
E numri i madh i pacientëve me COVID që trajtohen këtu ka bërë që stafi i paktë të jetë i mbingarkuar.
Doktoresha Sheri Ibrahimi ka thënë se me gjithë vlugun e punës dhe stafin e paktë, ata po mundohen që në ndihmë t’u dalin të gjithëve.
“I lusim qytetarët të kenë durim sepse jemi duke u mundu të bëjmë punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Pacientët te ne nuk janë në gjendje të rëndë por me gjendje mesatarisht të rëndë”, ka deklaruar ajo.
Doktorët e kujdesit parësor shëndetësor të Qendrave të Mjekësive familjare, pjesë të punës nuk e kanë dhënien e infuzioneve intravenoze.
Ata këtë shërbim janë duke e kryer tash në kohën e pandemisë, për pacientët me gjendje jo të rënduar shëndetësore.
Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Sami Uka, ka deklaruar se pos kësaj, infektimi me koronavirus i rreth 80 punëtorëve shëndetësorë të kujdesit parësor e ka ngarkuar punën nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, raporton KOHA.
Sipas tij, kanë mbetur shumë pak mjekë, sa po duhet ta angazhojnë edhe stafin mjekësor me sëmundje kronike në qendrat Covid.
“Derisa me shkrim ekziston nënshkrimi që të sëmurët kronik, të sëmurët me kancer të lirohen, ndërkohë na është thënë që një udhëzim i tillë nuk vlen për punëtorët shëndetësorë edhe ne na është dasht që të gjejmë mirëkuptimin që ta injorojmë dhe më së keqi është që në mungesë stafi t’i angazhojmë edhe ata më sëmundje kronike e të pashërueshme edhe në qendrat e Covidit që është edhe e dhimbshme edhe e rrezikshme përkundër dëshirës tonë”, ka deklaruar Uka.
Sipas Ukës, orari i Qendrave të Mjekësisë Familjare është përshtatur për të menaxhuar fluksin e shtuar të pacientëve, krahas numrit të reduktuar të stafit.