Policia nis hetimet pas djegies së billbordit me emblemë të UÇK-së në Graçanicë

Policia e Kosovës ka njoftuar se ende nuk dihen autorët e djegies së billbordit në Graçanicë. Megjithatë, hetimet kanë nisur. 

Zëdhënësja për informim në PK, Flora Ahmeti, tha për KOHËN se incidenti ka ndodhur herët në mëngjes.

“Sot kemi pranuar informatën lidhur me dëmtimin e një tabele reklamuese (Billboard) që ka qenë e vendosur në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjilan. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në bazë të informacioneve të para dyshohet që dëmtimi ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit”, tha Ahmeti.

Tutje, ajo shtoi se aktualisht është iniciuar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast.