Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se ka nënshkruar Rregulloren për Organizim të Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm.
“Me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, organizimi i ri në ZKM, do të jetë në pajtim të plotë me legjislacionin në fuqi të administratës shtetërore, që siguron rritjen e efikasitetit të punës dhe thjeshtimin e ndarjes së detyrave të njësive organizative. Ky është një hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës për administratën shtetërore dhe krijon një model standard i cili do të ndiqet edhe nga ana e ministrive”, ka thënë Hoti.
“Me qellim që qeverisja të jetë efikase dhe e organizuar mirë, u kam kërkuar të gjithë ministrave ta kryejnë këtë reformë sa më parë dhe në përputhje të plotë me ligjin.
Duke i vendosur kapacitetet profesionale në njësitë e duhura organizative eliminohen pengesat e panevojshme burokratike në kryerjen e detyrave qeveritare”, u shpreh ai.