Kosova dhjetë ndeshje pa fitore

Ka shkuar në dhjetë ndeshje seria pa fitore e Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Por “dardanët” të dielën mbrëma kanë dhënë sinjale pozitive, ndonëse kanë humbur 2:1 nga Sllovenia në Lubjanë.

Humbja është vlerësuar e dhimbshme dhe pafat. Sllovenët golin e fitores e shënuan në minutën e 94-t përmes lojtarit kryesor, Josip Iliçiq. Ai madje realizoi nga pika e bardhë. Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, e “lexoi” goditjen e Iliçiqit, por nuk arriti ta ndalë atë. Penalltia në të mirë të sllovenëve u dha për lojë me dorë të Fidan Alitit në zonë. Lojtarët e Kosovës kanë pretenduar se penallti nuk kishte, por arbitri mendoi ndryshe.

Sllovenia prin në grupin 3 të Ligës C të Ligës së Kombeve me 13 pikë. Greqia është e dyta me 11 pikë, ndërsa këto dy përfaqësuese përballen të mërkurën në Athinë për të vendosur për vendin e parë në grup që dërgon në Ligën B në edicionin e ardhshëm.

Kosova është e treta në grup me 2 pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Moldavia është e fundit me një pikë. Kosova e Moldavia takohen të mërkurën nga ora 20:45 në Prishtinë në duelin që vendos për vendin e tretë. Vendi i katërt dërgon në plejof për mbetje në Ligën C.

Sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes në Lubjanë, Kosova ka dhënë sinjale të mira, me gjithë mungesat e mëdha në formacion. Lojtarët e Kosovës ishin rivalë të barabartë me sllovenët, por u dorëzuan në fund.

Janë vlerësuar angazhimi dhe lufta për ekip, që kanë munguar në shumë ndeshje të kaluara. Por seria negative ka vazhduar. Tani Kosova ka dhjetë ndeshje pa fitore. Gjatë kësaj serie ka tetë humbje e dy barazime. Ndër të tjera, në këtë seri është humbur edhe ndeshja vendimtare për kualifikim në “Euro 2020”, ndaj Maqedonisë së Veriut.

Në pjesën e parë të ndeshjes në Lubjanë nuk janë shënuar gola. Kosova provoi dy herë nga distanca nëpërmjet Edon Zhegrovës, por pa sukses. Gjuajtjet e tij nuk ishin të sakta. Ndërkohë sllovenët kanë rrezikuar disa herë dhe janë shfaqur më të rrezikshëm.

Në pjesën e dytë u shënuan tre gola.

Pas një rivënieje nga këndi, lojtarët e Kosovës realizuan aksion model dhe Vedat Muriqi shënoi gol të bukur. Ai realizoi në minutën e 58-të për 1:0, pas asistimit të Bernard Berishës. Pjesë e aksionit ishte edhe Valon Berisha.

Një reagim i plogësht i mbrojtjes së Kosovës i mundësoi Sllovenisë që të barazojë shifrat menjëherë në minutën e 63-të përmes Jasmin Kurtiqit. Ai realizoi gol nga afërsia, po ashtu pas një aksioni të bukur të sllovenëve.

Raste të tjera kishte deri në fund. Dhe kur pritej që ndeshja të mbyllej 1:1, sllovenët fituan penallti, që e realizuan.

“Arbitri dha penallti për të dalë në qendër të vëmendjes. Ka qenë një prej ndeshjeve më taktike që kemi luajtur. Ka qenë ndeshje me koncentrim të madh dhe të gjithë kemi dhënë maksimumin. Nëse vazhdojmë kështu do të kthehemi në rrugën e duhur. Është ndeshja e fundit dhe besoj se do të fitojmë kundër Moldavisë. Nëse luajmë kështu, fitorja nuk do të jetë e diskutueshme. Synojmë fitoren dhe mbetjen në Ligën C”, ka thënë kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani.

Kosova nuk ka fituar që nga 14 tetori i vitit të kaluar, kur triumfoi 2:0 ndaj Malit të Zi. Prej atëherë thuajse asnjëherë Përfaqësuesja nuk ka qenë e kompletuar. Por në shumë ndeshje ka munguar edhe angazhimi. Ndërkohë disfata nga Maqedonia e Veriut ka bërë që entuziazmi të bjerë goxha shumë.

“Do të dalim nga kjo situatë. Jemi të kënaqur me angazhimin dhe reagimin e ekipit, sidomos pas ndeshjes ndaj Shqipërisë. Nuk e patëm fatin ta ruajmë rezultatin. Duhet analizuar penalltinë e dhënë dhe ndërhyrjen ndaj Hekuran Kryeziut. Kemi punuar për ta kthyer mentalitetin e fituesit. Futbolli është i tillë dhe mund të pësosh edhe në fund të ndeshjes. Ndeshjen ndaj Moldavisë duhet të fitojmë patjetër”, ka thënë Muharrem Sahiti, trajner i parë i Kosovës. Ai e ka udhëhequr Përfaqësuesen pasi Bernard Challandes është me COVID-19.