Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti vazhdon të ankohet kundër masave të reja të Qeverisë së Kosovës të cilat kanë vendosur kryeqytetin në zonën e kuqe për shkak të numrit të lartë të rasteve të reja me koronavirus.
Derisa këto masa kanë hyrë në fuqi ditën e premte në mbrëmje, i pari i Prishtinës e quan të padrejtë një gjë të tillë pasi sipas tij në kryeqytet ka më shumë raste të reja të konfirmuara me koronavirus për shkak të numrit më të lartë të testeve për këtë sëmundje të rrezikshme.
“12 mijë testime! Mandej zone e kuqe. Komunat tjera nga 100 mesatarisht”, ka shkruar Ahmeti në një postim në Facebook duke iu referuar kështu numrit të testeve në Prishtinë dhe atyre në komunat e tjera në dy javët e fundit, ku del se vetëm në kryeqytet janë kryer 12 mijë teste.
Sa u përket masave të reja specifike për komunat, IKSHPK i ka ndarë ato në komuna me rrezikshmëri të lartë (mbi 150 të infektuar brenda javës), rrezikshmëri të mesëm (76 deri 150 të infektuar brenda javës) dhe të ulët (deri në 75 të infektuar brenda javës).
Në komunat me rrezikshmëri të lartë ku është e koncentruar mbi gjysma e aktivitetit ekonomik e ku përfshihen Prishtina, Podujeva, Gjakova, Peja, Ferizaj, Fushë Kosova, aktiviteti ekonomik mbyllet nga ora 19:00 deri në orën 5:00, dhe në këtë orar do të ndalohet edhe lëvizja e lirë me orë policore.
Ndërkaq, në komunat me rrezik të mesëm, operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga ora 5:00 të mëngjesit deri në orën 18:00 të mbrëmjes me staf esencial, ndërsa pas këtij orari gastronomisë i lejohet funksionimi me metodën “merre me vete”, ndërsa qytetarëve nuk u ndalohet lëvizja e lirë.
Në komunat me rrezikshmëri të ulët, operatorët ekonomik do të lejohen të punojnë nga ora 5:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes ndërsa pas këtij orari gastronomia mund të punojë me metodën e porosive “merre me vete”, ndërsa qytetarëve nuk u ndalohet lëvizja e lirë.
Nëse një shitore, një restorant, një qendër tregtare, nëse një biznes ose institucion çfarëdo qoftë ai, nuk i zbaton masat me këtë vendim të Qeverisë dhe masat tjera që parashihen në ligjin përkatës për mbrojtjen nga COVID-19 ose masat tjera që i ndërmerr vetë Ministria e Shëndetësisë do të ketë mbyllje totale për ato biznese, së paku për 3 muaj, ka paralajmëruar kryeministri Avdullah Hoti.
Ditëve të fundit janë shtuar rastet e reja të të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Vetëm në 24 orët e fundit në nivel ditor janë regjistruar 501 raste të reja, prej tyre 249 vetëm në Prishtinë.