Tetë raste të reja janë konfirmuar në Kosovë me koronavirus, kështu duke e ngritur numrin në 79.
Këtë e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, përmes një statusi në Facebook. Ai ka treguar se të enjten janë testuar 89 persona, tetë prej të cilëve janë rezultuar positive, transmeton KOHA.
“Sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 89 persona nga të cilët 8 kanë rezultuar pozitiv”, shkruan Vitia.
Ndërkohë, në komunikatën e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike është bërë e ditur nga rastet e konfirmuara pozitive, katër janë raste kontakti në Studime të Ulët, Vushtrri; tri raste janë nga Prishtina dhe një rast është rast kontakti me vendbanim në Llugagji të Pejës.
IKSHPK në të njëjtën kohë ka dhënë edhe numrin e përgjithshëm të testimeve të ndërmarra që nga 8 shkurti: “Nga data 08.02.2020 deri me 26.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 855 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej shtatëdhjetë e nëntë (79) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç”, shkruan në njoftim.