Kuvendi Komunal i Prishtinës ka futur në rend dite propozimin e grupit të Partisë Demokratike të Kosovës për ofrimin e transportit publik pa pagesë prej muajit nëntor deri në muajin mars, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në kryeqytet dhe përhapjes së COVID-19.
PDK në Prishtinë konsideron që implementimi i këtij projekti shkarkon trafikun e kryeqytetit, mbron ambientin, kursen kohën dhe xhepin e qytetarëve.
Kosto e mbulimit të biletave të qytetarëve, Buxhetit të Komunës pritet t’i kushtojë mbi 1.2 milion euro.
Asamblisti i PDK-së Leutrim Retkoceri tha se mjetet financiare mund të merren nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, ku deri më tani kemi vetëm 57% e buxhetit të shpenzuar në këtë kategori.
Sipas tij, më mirë është që të ndahen këto mjete për të paguar biletat e qytetarëve të Prishtinës, sesa të përfundojnë si tepricë buxhetore.
Kjo ide u prezantua më herët nga asamblistja e PDK-së, Suzana Vuçitërna- Kika dhe nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Ilirik Musliu.