Ka disa kohë që po qëndrojnë në oborrin e Qeverisë disa vetura superluksoze, të tipit BMW M7.
Gazeta merr vesh se ato i takojnë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diaspores (MPJD), dhe janë blerë së fundmi. Çmim me të cilin i ka blerë Qeveria nuk dihet, mirëpo dihet se në treg këto vetura shkojnë mbi 130 mijë euro.
Duke kërkuar në faqet e veturave, shihet se një veturë BMW M7 e këtij modeli, kushton nga 130 mijë deri në 157 mijë euro.
Dhe, siç mësohet, nga Qeveria janë blerë së paku 3 të tilla. Kështu duket edhe në fotografitë e siguruara nga gazeta.
Mirëpo, në media është raportuar se gjoja Qeveria ka blerë këto vetura me cmim të përgjysmuar. Sipas këtyre mediave, veturat janë blerë para një viti.
Sipas atyre që raportohen, qëllimi i blerjes së këtyre veturave ka qenë transportimi i delegacioneve të huaja kur të vijnë në Kosovë.
Sidoqoftë, siç dihet, rreziku i pandemisë ka ndalur vizitat zyrtare në Kosovë. Kështu, këto vetura kanë mbetur pa u përdorur edhe aq. Ashtu shihet edhe në fotografi, ku veturat duket të mbuluara nga pluhuri.