Çdo ditë, rreth 150 mijë euro fitim të Telekomit kalojnë në llogari të Z-Mobile

Rreth 150 mijë euro të hyra ditore që llogaritet se i ka Telekomi i Kosovës që nga 29 tetori kanë kaluar në llogari të kompanisë “Z-Mobile”.

Për 10 ditë në llogaritë të kësaj ndërmarrjeje kanë kaluar rreth 1.5 milion euro. Pas bllokimit të llogarive, ishin tërhequr edhe 2.7 milionë euro që gjendeshin në llogari të ndërmarrjes, raporton KOHA.

Nëse nuk gjendet një zgjidhje apo nuk arrihet ndonjë marrëveshje në mes të palëve të përfshira, kjo do të vazhdojë derisa të arrihet vlera e borxhit prej afro 27 milionë euro që Telekom ka ndaj Z-Mobile.

Sipas kësaj ecurie, Telekomit do t’i duheshin së paku 6 muaj që të punojë pa të hyra dhe pa paga për të paguar borxhin.

Nga Telekomi kanë thënë se kanë shumë të vështirë funksionimin normal në këto kushte kur llogaritë janë të bllokuara dhe të zbrazura nga Dardafoni.

“Operimet ditore tona janë vështirësuar skajshmërisht me këto veprime. Duhet zgjidhje e menjëhershme e kësaj çështjeje para se kompania dhe shërbimet të kollapsojnë në tërësi. Me kollapsimin e shërbimeve tona në mënyrë automatike mund të kollapsojnë edhe gjithë shërbimet e organeve shtetërore sikur atë të sigurisë kombëtare, si AKI-ja, Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë, Emergjenca dhe shumë institucione të tjera. Andaj, zgjidhja duhet bërë menjëherë të ndërmjetësohet dhe të garantohet marrëveshja me Dardafonin nga qeveria e vendit”, ka thënë Menduh Abazi, drejtor i Departamentit për relacion me publikun në Telekom.

Megjithatë, Sindikata e Punëtorëve të Telekomit i ka dhënë afat njëjavor që të zhbllokohen llogaritë bankarë. Nëse kjo nuk arrihet deri të hënën ka paralajmëruar protesta para Qeverisë dhe greva të përgjithshme.

Ndërkohë në Telekom kanë thënë se janë duke punuar ngushtë me Qeverinë në planin konkret të rimëkëmbjes së Telekomit dhe zgjidhjes afatgjatë të rastit Dardafon.

Ka thënë së përveç këtij plani të dorëzuar në Qeveri si nevojë emergjente në rritjen e biznesit dhe të hyrave në kompani, është paraparë që të investohen mbi 8 milionë euro.

Në javën kur pritej që të arrihej një marrëveshje mes Telekomit dhe Z-Mobile për shlyerjen e borxhit brenda 2 vjetëve, kjo e fundit ia kishte bllokuar llogaritë bankare. Bllokimi ka ndodhur pasi Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Themelores për njohjen e vendimit të Arbitrazhit.