Qeveria e Albin Kurtit është rrëzuar të mërkurën, pas votimit të suksesshëm të një mocioni mosbesimi kundër saj, të iniciuar nga Lidhja Demokratike (LDK), që ishte pjesë e koalicionit qeverisës. Është bërë Qeveria më jetëshkurtër e Kosovës së pasluftës.
Ajo ka rënë në nisje të mandatit. E mandatin e plotë nuk ka mundur ta çonte në fund asnjë prej qeverive të pasluftës. Për pasojë, nuk ka pasur asnjë palë zgjedhjesh të organizuara në afat të rregullt kushtetues, shkruan KOHA.
Qeveria Kurti nuk e ka mbërritur as 100-ditëshin. Saktësisht në ditën e 50-të të punës është votuar mocioni, kohë kjo sa dyfishi i ditëve që kishin marrë negociatat për koalicion qeverisës, mes Lëvizjes Vetëvendosje si parti fituese dhe LDK-së si parti e dytë.
Çarja e koalicionit ka dalë në shesh pikërisht në emergjencën më të madhe që ka përjetuar Kosova prej luftës me Serbinë dy dekada më herët.