Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë në vizitë sot në selinë e PDK-së. Ai ka thënë se vizita e tij është për shkak të zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur me Gjykatën Speciale e për t’i shprehur përkrahje partisë në mungesë të ish-kryetarit Kadri Veseli dhe ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se nuk është koha të diskutohet tash për postin e presidentit, duke shtuar se ka shkuar në selinë e PDK-së vetëm për t’i ofruar përkrahje.
“Është dita e paraqitjes së parë të udhëheqësve në Tribunal. Garat politike vazhdojnë dhe kemi pasur mospajtime dhe rrugëtime ndaras. Por kam qenë në UÇK dhe jam sot UÇK. Kjo është një përkrahje. E thashë agjenda politike vazhdon. Kjo tokë është e jona”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se qëllimi i vizitës së Haradinajt ishte përkrahje për zhvillimet e fundit që lidhen me Specialen.
“Qëllimi ishte të shprehet një përkrahje në këto rrethana të reja në zhvillimet që po ndodhin me aktakuzat. Sot është dita e paraqitjes së parë të udhëheqësve të UÇK-së, gara politike kemi pas gjithmonë mospajtime por kam qenë në UÇK, Ramush Haradinaj është UÇK jam sot dhe do të jem gjithë jetën me të gjithë që kanë qenë ushtarë”, thuhet në komunikatën e partisë.