Komuna e Prishtinës ndan 5 milionë euro për mikrobizneset dhe bizneset e vogla, përfitues edhe mediat

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të fillojë procesi i ndarjes së granteve për  mikrobizneset dhe bizneset e vogla në kryeqytet.

Përmes një njoftimi në Facebook, Ahmeti tha se Komuna e Prishtinës ka 5 milionë euro për këtë qëllim.

Sipas tij kjo ndihmë e vogël mund të jetë domethënëse në pandemi, transmeton lajmi.net.

Ahmeti theksoi se poashtu është ndarë edhe një fond prej 100 mijë eurosh për mediat që janë në Prishtinë.

Postimi i  plotë:

Në ditët në vijim do të fillojmë procesin e ndarjea së granteve për mikrobizneset dhe bizneset e vogla. Kemi ndarë 5 milion euro për këtë qëllim. Duke marr parasysh numrin e bizneseve në Prishtinë kjo është ndihmë e vogël por për mikro dhe bizneset e vogla mund të jetë domethënëse në pandemi. Procesi do të jetë transparent (online).

Po ashtu kemi ndarë një fond prej 100 mijë eurosh për mediat që janë në Prishtinë. Raportimi dhe gazetaria janë tepër të rëndësishme dhe vështirësitë financiare nuk mund të jenë arsye e mbylljes për shumicën prej tyre në këtë kohë. Komisioni për ndarjen do të jetë me shumicë nga vetë përfaqësuesit e këtij grupi me përfaësuesit e të cilëve jam takuar javën e kaluar.