Një zjarr ka shpërthyer në fshatin Vranidoll të Prishtinës ku strehohen refugjatët në mëngjesin e së shtunës.
Behar Shala, zjarrfikësi që mori pjesë në aksionin për shuarjen e këtij zjarri, thotë se fatmirësisht askush nuk mbeti i lënduar nga ky zjarr.
“Sot në ora 5 të mëngjesit ne intervenuam në mënyrë profesionale dhe e lokalizuam -fikëm zjarrin në fshatin Vranidoll, te objekti ku strehohen refugjatët. Për fat të mirë nuk kishte të lënduar”, shkroi Shala krahas publikimit të fotografive.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka konfirmuar rastin për klankosova.tv dhe tha se për këtë rast një person do të intervistohet në polici.
“Sot në ora 04:48, policia është njoftuar për një zjarr në fshatin Vranidoll, në qendrën ku strehohen emigrantët. Zjarri është lokalizuar, policia po e trajton rastin, në këto momente një person do të intervistohet në SP ‘Veriu’ në Prishtinë”.
Në Vranidoll është qendra e azilit ku më shumë strehohen migrantë nga Siria që kanë ikur për shkak të luftës.