Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se është krenar me këtë kabinet qeveritar dhe me të arriturat e tij, duke numëruar vendimet që janë marrë që nga 4 shkurti 2020.
Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi edhe masat që qeveria ka ndërmarr në parandalimin e virusit Korona, të njohur si COVID-19.
Ndërsa, duke folur për mocionin, kryeministri Kurti tha theksuar se nuk i dhimbset kjo qeveri dhe aq më pak vetja. “Mua më dhimbsen njerëzit, qytetarët, populli, se çka po i bëhet me këtë mocion mosbesimi”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se ky mocion mosbesimin synon që ta lë popullin pa qeverinë e tij, pa qeverinë për të cilën ai ka votuar.
Fjala e plotë të kryeministrit Kurti, në Kuvendin e Republikës Kosovës
Të dashur qytetarë të Republikës,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar
E nderuara kryetare e Kuvendit, znj. Osmani
Qeveria e re e Republikës së Kosovës sot ndodhet në ditën e 50 të punës së saj. Pra, sot mbushen 50 ditë prej se kemi filluar detyrën zyrtarisht. Të gjithë e pamë se si, jo vetëm që nuk i kishim 100 ditë për të dëshmuar veten, por nuk i patëm as 100 orë. Sot, 50 ditë më vonë, mund të them se jam krenar me këtë kabinet qeveritar dhe me të arriturat e tij.
Më lejoni të përmend disa prej tyre:
•Qysh në fillim i përgjysmuam pagat e Kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave, zëvendësministrave dhe stafit të tyre, por jo edhe pagat në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Dëshiruam të tregojmë se çka konsiderojmë vlerë dhe të sjellim etikë në politikë.
•I shkarkuam 7 Koordinatorët Nacional të panevojshëm që ishin barrë edhe për buxhet edhe për funksionim.
•U emërua Komiteti për Partneritet Publiko-Privat, në përbërje të 5 ministrave.
•U aprovua mbështetja financiare për evitimin e dëmeve nga fatkeqësia natyrore e stuhisë së fuqishme në komunën e Pejës dhe Istogut. Sipas raportit të komisionit, dëmet arrijnë shumën prej mbi 433 mijë euro.
•U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës” Sh.A.
•U shfuqizua vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për pagat e ish-ministrave e ish-zëvendësministrave pasi ata përfundojnë mandatin.
Merreni me mend kemi pasur ministra që një javë ditë kanë qenë në detyrë, e mandej kur s’kanë qenë më kanë marrë deri në gjashtë muaj apo një vit pagë duke qëndruar në shtëpi. Por jo në shtëpi për shkak të virusit Korona, por në shtëpi për shkak të korrupsionit.
•U aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 200 mijë euro si mbështetje financiare për Republikën e Shqipërisë, për qëllim të ndihmës në sanimin e dëmeve nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, si shtesë e shumë ndihmave të mëhershme edhe materiale edhe të tjera që ia kemi dërguar Republikës së Shqipërisë.
•U shkarkua Bordi i Drejtorëve i Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A.
•U shfuqizua Vendimi i Qeverisë për aprovimin e Koncept Dokumentit për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë, ku ju bëhen me lidhje të shkurtë favore këshilltarëve.
•U ndanë mjete financiare në shumë prej 400 mijë euro për Ministrinë e Shëndetësisë për parandalimin e situatave të mundshme emergjente për epidemi. Më vonë kemi ndarë buxhet prej 10 milionë euro për luftimin e përhapjes së pandemisë të Virusit Corona.
•U aprovua propozimi i Ministrisë së Drejtësisë, për themelimin e Grupit të ekspertëve të pavarur për të dizajnuar parimet udhëheqëse, skenarët dhe elementet e reformës së Vettingut në sistemin e drejtësisë, që përbëhet nga 10 profesionistë.
•U shkarkuan drejtorët e Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Trepça” Sh.A.
Ministrat tanë kanë bërë po ashtu punë të palodhur e të madhe. Po i përmend disa prej vendimeve që ata i morën:
•Shfuqizimi i vendimeve të emërimeve të 14 konsujve të kotë nëpër botë, të cilëve ua kemi mundësuar riatdhesimin.
•Anulimi i tenderit 110 milionësh i autostradës Prishtinë-Gjilan i shpallur pa miratim buxhetor.
•Anulimi i ndërtimit të lagjes pranë liqenit të Badovcit.
•Ministria e Integrimit Evropian do të kursejë 330.000 euro çdo vit pasi që është zhvendosur në objektin e Qeverisë së Kosovës dhe kështu nuk do të paguajë qira dhe shpenzime komunale koti nga buxheti i taksapaguesve.
•U nënshkrua marrëveshja me Bankën Botërore për të mbështetur Kosovën me grant prej 2.785.000 dollarë.
•U anuluan tri vendime të ish-ministres së Integrimit Evropian, duke kursyer kështu rreth 400 mijë euro.
•Me 6 mars u aprovua Programi Qeverisës i Republikës së Kosovës për vitet 2020 – 2023.
•U anulua vendimi i Qeverisë së kaluar ku kompanisë “Bechtel-Enka” do t’i kalonin 50 milionë euro. Ka nevojë për kyçje e mbikalim në autostradën e mbyllur, por jo 50 milionë euro. Mundet ndryshe, mundet më mirë e më lirë sigurisht.
•Pas shkarkimit të tyre të mëhershëm, i emëruam bordet e përkohshme në Telekomin e Kosovës dhe Ndërmarrjen “Trepça” Sh.A. Këto dy borde të përkohshme, sipas ligjit për Ndërmarrjet Publike, do të jenë në funksion deri në ardhjen e bordit të ri.
•Në listën e sanksioneve të OKB-së e BE-së ndodhet një kompani e cila ka eksportuar drejt vendit tonë, dhe ku tash e tri javë u mbajt në Doganën e Kosovës. Kompanisë “Sabalan Company – Iran” e cila figuron si entitet nën sanksione si kompani mbulesë e një kompanie tjetër, me vendim unanim të Qeverisë së Republikës së Kosovës iu vendosen sanksione edhe për vendin tonë.
•U aprovua Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, projektligj i cili u votua me 14 mars këtu në Kuvend. Qeveria jonë ka trashëguar një masë të konsiderueshme të obligimeve të papaguara nga Qeveria e mëhershme dhe nga komunat, një borxh të gjithmbarshëm në vlerë 328 milionë euro.
•Rruga Prishtinë-Mitrovicë, e njohur si N2, do të bëhet. Si hap të rëndësishëm kemi miratuar shpronësimet e pronave të paluajtshme në segmentin Gojbulë-Smerkovnicë, gjë që do të përfundojë zgjerimin e kësaj rruge e cila ka filluar para rrugës së kombit “Ibrahim Rugova”, por ende s’u përfundua.
•U themelua Komiteti Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike “Energjia nga Linjiti”.
•Është miratuar vendimin me të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme nga “Lista e Aseteve për Qiradhënie me karakter specifik e azhurnuar”, e shpallur më 5 mars 2020.
Me datën 11 mars kemi marrë një seri vendimesh që lidhen me virusin Korona, të njohur si COVID-19:
•Ndërprerjen e procesit edukativo-arsimor në institucionet arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020, me rekomandim që të lirohet njëri prind nga puna (kjo masë nuk vlen për punëtorët shëndetësor dhe për ata në sektorin e sigurisë)
•Kemi bërë ndalimin e hyrje-daljeve në disa komuna, kemi mbyllur kufijtë e aeroportin.
•Kemi themeluar Komisionin e Posaçëm për parandalimin e infeksionit të virusit Korona, me mua si udhëheqës, me dy zëvendëskryeministrat, shtatë ministra e dymbëdhjetë profesionistë e ekspertë të fushës. Këtij Komisioni i shtohen edhe shtatë anëtarë të tjerë, prej tyre një ministër dhe tre profesionistë, më vonë,
•Kemi bërë shpërndarjen e materialeve të domosdoshme nëpër qendrat mjekësore në të gjitha komunat, përgatitjen e hapësirave në rast nevoje për izolim, komunikim me mediat e publikun për masat e hapat që i kemi ndërmarrë,
•Kemi shpallur emergjencën për shëndetin publik.
•Kemi ndaluar fluturimet në vendin tonë për joshtetasit e Kosovës, dhe Qendrën e Studentëve në Prishtinë e kemi caktuar si hapësirë karantine.
•Kemi hequr tarifën për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina deri më 1 prill 2020. Kemi thënë që Qeveria do të nxjerrë vendimin për të hequr në tërësi tarifën dhe të zëvendësohet me masën e reciprocitetit, ashtu siç jemi zotuar në fushatë, ashtu siç e kemi pasur në marrëveshjen e koalicionit qeverisës, ashtu siç e kemi edhe në programin qeverisës 2020-2023.
•Nga dje e kemi ndaluar qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve në intervalin kohor prej orës 10:00-16:00 dhe prej orës 20:00-06:00.
•Në rrugë, gjatë kohës së lejuar ecjet të mos bëhen në më shumë se dy persona dhe të mbajnë distancën me të tjerët prej 2 metrave.
•Kemi ndaluar edhe tubimet publike e private në hapësirat e hapura e të mbyllura vetëm në rast se duhet të mblidhet patjetër për të luftuar pandeminë COVID 19.
•Kemi bërë dhurimin e dy pensioneve, siç kemi premtuar, të asistencës sociale prej datës 24 mars, pra prej ditës së djeshme, nga e marta.
Të nderuar deputetë
Mua nuk më dhimbset kjo qeveri dhe aq më pak vetja. Mua më dhimbsen njerëzit, qytetarët, populli, se çka po i bëhet me këtë mocion mosbesimi.
Së pari, ky mocion mosbesimin synon që ta lë popullin pa qeverinë e tij, pa qeverinë për të cilën ai ka votuar.
Së dyti, po e lë popullin pa një qeveri reformatore që padyshim se e lufton korrupsionin dhe zotimin e vet për punësimin, sidomos për gratë dhe për rininë, e ka seriozisht si asgjë tjetër, si askush tjetër, si asnjëherë tjetër.
Së treti, po doni ta leni popullin pa këtë qeveri mu në mes të përhapjes së pandemisë së virusit Korona, në javën më të rëndësishme, me një menaxhim tonin i cili është shembull. Shembull jo vetëm për vendet e rajonit. Pra, në kushtet kur ne me qeverinë tonë po japim shembull edhe më gjerë se si menaxhohet përhapja e pandemisë së virusit Korona, ky mocion synon që ta lë vendin tonë pa qeveri.
Populli e di që unë nuk e kam mbështetjen tuaj si deputetë të PAN-it. Po ashtu populli e di që tash edhe te një pjesë e deputetëve të LDK-së nuk e kam mbështetjen. Por ju të gjithë e dini se kjo qeveri e ka mbështetjen e qytetarëve të cilët janë në një gjendje aq të rëndë, sepse papunësisë në mesin e tyre dhe padrejtësisë ndaj tyre ju shtua edhe rreziku i virusit Korona, e tash në kulm do të ngelet pa një qeveri e cila menaxhonte mirë.
Për bindjen time të fuqishme, motori i këtij nxitimi për të shkarkuar qeverinë nuk ka të bëjë fare as me ministrin, nuk ka të bëjë as me tërheqjen e trupave nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ka të bëjë asgjë më pak sesa me një marrëveshje të gatshme për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është në prapavijë, motori i cili po e shkakton edhe këtë nxitin në Kosovë.
Ky pazar presidencial e kërkon rrëzimin e qeverisë. Pazari presidencial me këtë qeveri ku udhëheq unë, nuk bëhet. Ka marrë fund kjo punë. Provoi ai ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Pse nuk e shpalli? Shkoi në Shtëpinë e Bardhë për të bërë marrëveshje. Pse nuk bëri? Me mua kryeministër, me këtë qeveri, nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme pa u krijuar gjendja e jashtëzakonshme, dhe nuk ka marrëveshje as në Shtëpinë e Bardhë, as në të gjelbër, as në të kuqe për shkëmbim territorial midis Kosovës dhe Serbisë.
Prandaj, motori në prapavijë, i krejt kësaj pune është si të largohet kjo qeveri, si të spostohem unë, në mënyrë që t’i hapet rruga edhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe atij pazari të gatshëm për shkëmbimin territorial.
Unë jam më i bindur se kurrë se marrëveshje të gatshme ka. Praktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe Presidenti në takim që kisha. Se, edhe me kërkesën e deputetëve të PDK-së, pa çka se nuk dëgjoheshin sepse nuk i kishin mikrofonat e kyçur, po takoje presidentin, takoje presidentin. E takova, edhe nuk u morëm vesh. Dy orë e takova. Nuk u morëm vesh. Sepse a din çka ma përsëriti ai mua tri herë: hiqe kryeministër taksën shkojmë bashkë në Uashington, e bëjmë marrëveshjen, e heqim qafe Serbinë përgjithmonë. Tha: “këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur prej popullit, unë e ti e kryejmë këtë punë. Shkojmë bashkë atje, e heqim Serbinë qafe njëherë e përgjithmonë”. A po kuptoni? Pra nuk është ideja me heq tarifën për të filluar negociatat. Ideja është me heq tarifën për të publikuar marrëveshjen.
Kjo është ideja, e natyrisht që në këto pazare presidenciale, që janë të dëmshme dhe të rrezikshme, nuk mund të më kenë mua si bashkëpunëtorë, dhe meqenëse jam në këtë pozitë të kryeministrit, nuk është e mundshme që ato të bëhen.
Edhe tendenca për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme para një jave që dështoi, fare nuk kishte të bënte me virusin Korona. Absolutisht, presidenti kurrë nuk e ka pasur me virusin Korona. Fare.
Në kohën kur kanë qenë vetëm 19 të infektuar, asnjë të vdekur, vetëm njëri as në respirator, por vetëm më maskë të oksigjenit, dëshironte, insistonte që me çdo kusht, pavarësisht çmimit, ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Për ta dëshmuar këtë, ju e keni parasysh deklarimin e parmbrëmshëm të presidentit, që po ua lexoj sepse është praktikisht sulm mbi rendin tonë kushtetues, thirrje për padëgjueshmëri në Republikën tonë, të organeve shtetërore, posaçërisht të atyre të sigurisë.
Ja se çka tha parmbrëmë: “Vendimi i Qeverisë sot është krejtësisht antikushtetues. Qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet kundër kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. Po e përsëris: qytetarët nuk janë të detyruar t’i respektojnë vendimet antikushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë”. Nënvizoj, nuk po nënvizoj unë, por kështu ka thënë, nënvizoj: “As Policia e Kosovës, as organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim antikushtetues të Qeverisë, sepse kështu edhe vet bëjnë vepër penale. E ripërsëris, thotë ai: As Policia e Kosovës dhe organet e sigurisë nuk duhet të zbatojnë këtë vendim antikushtetues të Qeverisë sepse kështu edhe vet do të bëjnë vepër penale. Vendimi i Qeverisë është pa efekt juridik të zbatueshëm dhe është i pazbatueshëm në tërë territorin e Republikës së Kosovës”.
Pra një person i cili s’ka as autorizim të flasë kështu, as fuqi për të implementuar atë çka thotë, praktikisht e sulmon rendin tonë kushtetues duke thirrur në pa dëgjueshmëri policinë dhe organet e sigurisë.
Mirëpo, siç e keni parë të gjithë ju, dje askush prej forcave policore nuk e ndoqi presidentin. Asnjë polic, asnjë polic i Republikës së Kosovës nuk tha për shkak se presidenti deklaroi kështu, unë do të bëj ashtu.
Të gjithë zyrtarët policor e respektuan vendimin e Qeverisë, dhe unë u jam mirënjohës e falënderues për këtë gjë.
Presidenti është i vetmuar në popull, është i vetmuar edhe në organet shtetërore, prandaj ai do shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Është e qartë aspirata. Me nenin 131 pika 7, presidenti do t’i sipërvendosej FSK-së e do ta përjashtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Me nenin 131, pika 8, presidenti do t’i sipërvendosej Këshillit të Sigurisë dhe praktikisht do ta përjashtonte Qeverinë.
Ky është synimi. Le të mos bëhemi të verbër ose të paditur se nuk po e dimë se cili është synimi.
Tash, natyrisht që nuk rrëzohet Qeveria për një ministër. Qeveria për një ministër nuk bie kurrë, përveç nëse ai ministër është më shumë se ministër.
Nëse ai ministër është plan. Nëse ministri është plan, atëherë edhe bie Qeveria. Po sa për një ministër nuk bie Qeveria.
Dhe ky plan ka rënë. Për besë unë nuk kam qenë i vetëdijshëm se është plan. Por, unë kam qenë i bindur që nëse Qeveria e Republikës së Kosovës, për çështjen e gjendjes së jashtëzakonshme ka dy mendime të ndryshme publike midis Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministrit të Brendshëm, aty s’ka as Qeveri, as demokraci, as Republikë.
Ju e dini shumë mirë që ish ministri mua më ka kritikuar, më ka akuzuar, më ka sulmuar në fushatën në Llap përditë. Kurrë s’ja kam kthyer. Edhe sa për akuzat ndaj meje, ndaj familjes sime, ndaj lëvizjes ku jam kryetar, ndaj Qeverisë ku jam, besoni se edhe katër vjet kishim qeverisë bashkë.
Mirëpo, për gjendje të jashtëzakonshme, me dal me ja mbajt ‘zhagun’ presidentit, në mesnatë, në mesnatë kundër Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ndërkohë që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë e lëvdon policinë e vet, kjo është e pashembullt dhe e pafalshme.
Prandaj, unë kam vepruar drejtë, po të mos veproja do të ishte padrejtësi.
Për të gjitha kritikat e sulmet që më janë bërë nga një person që edhe ashtu s’e ka dashur koalicionin kurrë nuk ja kam kthyer. Kurrë s’ja kam kthyer.
Unë atij ja kam lexuar emrin në këtë foltore më pak se 24 orë kur e kam marrë vesh se kush do të jetë ministër i Brendshëm. Dhe shkuam pa nevojë në zgjedhje në një komunë. Unë s’e kam ditur kush do të jetë. Kjo është thjeshtë respekti që i kam bërë unë dakordimit, marrëveshjes e kështu me radhë.
Mirëpo, nuk është shkelë marrëveshja këtu. Marrëveshja është shkelë kur është braktisur zëvendësimi i tarifës 100 për qind me reciprocitet. Këtu është shkelur marrëveshja.
Dhe unë kam shpresuar që ndoshta, megjithatë do të mund të kthehemi në binarët e këtij koalicioni, por kjo nuk ndodhi.
Është shkelur marrëveshja kur është thënë, hiqe tarifën pa reciprocitet.
Dhe unë para juve deklaroj hapur që nuk ekziston asnjë zyrtarë ndërkombëtar, në asnjë vend, në asnjë kohë, të cilit Albin Kurti kryeministër, ose kandidat për kryeministër, ka thënë se do t’ja heq tarifën Serbisë 100 për qind, pa e vazhduar fjalinë me reciprocitetin politik, ekonomik e tregtar.
Ky është qëndrimi im. Unë nuk i kam fjalët e ndryshme për njerëz të ndryshëm, në ora të ndryshme.
Thjeshtë, duhet të zëvendësohet tarifa qind për qind me reciprocitet. Kjo është politika jonë, kjo është edhe marrëveshja jonë, e cila është shkelur së pari.
Dhe sa i përket këtyre sulmeve që na janë bërë me idenë se do të tërhiqen trupat. Pse nuk u tërhoqën trupat? Unë dje isha në takim me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Risi. A është këtu Ministri i Mbrojtjes? Ja Ministri i Mbrojtjes është këtu, Anton Quni, dhe Gjenerali Risi na tha kurrfarë kërkese për kurrfarë tërheqje të trupave s’kemi.
Dje na tha në mesditë. Pra a e kuptoni, nuk ka tërheqje të trupave. Ky është një gogol. Ky është një fantazmë që e gjen kuptimin në qëllim, e jo realitetin e fakteve.
E sa i përket 200 milionë eurove të trumbetuara, të gjithë ju që merreni me politika publike e me qeverisje nga përvoja e juaj e dini që edhe kur t’i shohësh 200 milionë euro, nuk dihet nëse do i marrësh e lë më ne që nuk i kemi parë.
Prandaj ky tupani i 200 milionë eurove është shumë i hershëm dhe është koti. Edhe ky është një lloj gogoli tjetër i cili e gjen kuptimin në qëllim e jo në fakt.
Tarifa 100 për qind, të nderuar deputetë, është si një lloj virusi që ka përjetuar mutacion, e vaksina e vjetër nuk kryen punë më. Tarifa 100 për qind, nga 10 për qind në 100 për qind, ka qenë gjest i kundërvënies kur ne dështuam të anëtarësohemi në INTERPOL.
Mirëpo më vonë është presidenti i Serbisë ai i cili tha se unë nuk bëj dialog derisa nuk hiqet tarifa. Këtu është mutacioni i virusit. Ai ia shkaktoi mutacionin virusit, sepse tha unë nuk hy më në dialog pa u hequr tarifa. Mirëpo a e din çfarë bëri ai në vend të dialogut? Bisedime të fshehta. Prej vënies së tarifës 100 për qind nuk ka më dialog me Serbinë, por ka negociata të fshehta. Ato nuk janë ndërprerë asnjëherë, derisa janë kurorëzuar me një lloj ujdie për të cilën ka qenë oferta për mua, “hiqe tarifën 100 për qind, ama pa reciprocitet dhe eja ulu në tavolinën ku janë dy presidentët me pazarin e tyre tashmë të dakorduar”.
Pra, nuk është qëllimi të hiqet tarifa 100 për qind. Qëllimi është të hiqet reciprociteti. Pra, e gjithë trysnia që po bëhet mbi mua, mbi kabinetin qeverisës, mbi popullin e Kosovës, mbi shtetin tonë, nuk është të hiqet tarifi 100 për qind, është të hiqet reciprociteti. Dhe a e dini pse duhet të hiqet reciprociteti? Sepse Serbia historikisht e pranon lirinë shqiptarëve. E pranon bile bile edhe pavarësinë e tyre. Por barazinë me ata nuk e pranon kurrë. Serbia neve barazinë nuk na e pranon. Ata republikë, na autonomi. Na republikë, ata shtet, por pa na njohur. Ajo ka qelë negociatat, ne edhe MSA-në e kemi me fusnotë.
Pra Serbia, për juve që e keni lexuar histori e dini se, barazinë me neve se pranon dot. Edhe lirinë edhe pavarësinë ta pranon. Ia pranoi Bosnjës. Këtu ishte kundërshtimi që kisha unë me presidentin. Ai thoshte, bëjmë marrëveshje me Serbinë dhe e heqim qafe përgjithmonë. Por Serbia ka marrëveshje me Bosnjën, por s’po mund ta heqë qafe. Varet çfarë marrëveshje. Forma nuk shpjegon gjithçka. Fakti që ke marrëveshje nuk do të thotë që e hoqe qafe Serbinë. Ka marrëveshje të keqe që të rëndohet qafa prej saj. Prandaj tarifa prej 100 për qind nuk është çështja, çështja është te reciprociteti me Serbinë. Se unë kam thënë po e heqim tarifën, por po e zëvendësoj me reciprocitet. Dhe gjatë këtyre 50 ditëve, natyrisht që ka pasur kritika, akuza, por kjo është pjesë e politikës për mua.
Arena politike e tillë është. Për mua politika është betejë. Prandaj, pse dikush bën trysni, unë kam bindjet e mia, vullnetin tim, ndërgjegjen personale dhe nuk ka problem. Ama po e theksoj që në kohën kur unë po e menaxhoj mirë virusin Korona, ende mirë, sepse këto dy javë janë vendimtare, në kohën kur populli ka pritur shumë gjatë një qeveri të tillë, tash të bëhet mocioni i mosbesimit, ta keni parasysh që nuk ka të bëjë as me tërheqjen e trupave, as me 200 milionë që nuk i ka parë ende askush, as me një ministër për të cilin unë nuk kam vendosur një ministër të partisë sime, por e kam lënë vendin e zbrazur për një emër tjetër. Por, thjesht në prapavijë të kësaj, e për këtë do të bindeni, qëndron shkëmbimi territorial që ka dështuar si projekt, por nuk ka vdekur si ide. Ka dështuar si projekt, por nuk ka vdekur si ide. Mirëpo, ne jemi të gjallë këtu, dhe jemi të vendosur që të mos e lejojmë një gjë të tillë.
U provua në Shtëpinë e Bardhë me shampanjë shkëmbimi territorial, por nuk u bë. Nuk u bë se pa Qeverinë nuk bëhet. E tash a din çka ju duhet? Para shampanjës iu nevojitet gjaku. Iu nevojitet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Iu nevojiten incidentet në terren. Po ju nevojiten përleshjet me gjakderdhje, në mënyrë që në fund të thuhet: “nuk qeveriset dot veriu, s’kemi çka të bëjmë, më mirë ta nënshkruajmë një marrëveshje dosido sesa të ngelemi kështu edhe një shekull me Serbinë”.
Unë jam i bindur që në javët dhe muajt e ardhshëm do të bindeni edhe ju. Sepse tash si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës kam mësuar më shumë këto 50 ditë, se shumë muaj e vjet më herët, dhe kam pasur qasje në më shumë informacion sesa kurdoherë më parë.
Qeveria është një tren reformator, por po e duan një tren tjetër. Dhe nuk e kanë as me mua personalisht. Nëse unë e ndërroj qëndrimin, në rregull janë ata prapë. Pra nuk kanë asgjë personale as me mua, është thjesht konceptuale. Është kauzë, ata kanë një kauzë sekrete, ne kemi një kauzë publike. Unë besoj se e tyre është gabim dhe dëmshme, dhe besoj se e jona është e drejtë dhe e mirë. Janë dy rrugë. Dhe kjo shampanjë që ka nevojë për gjakun paraprakisht është figura që duhet ta keni në mendje për marrëveshjen e shkëmbimit territorial, e cila është motori i të gjitha manipulimeve dhe nxitimeve që po bëhen në Republikën e Kosovës.
Faleminderit