LDK për zhvillimet e Speciales: Vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se pas zhvillimeve të fundit rreth Speciales, vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, përveç se duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale.

LDK përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se  po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara dhe aktin e sotëm të dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi.

Komunikata e plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara dhe aktin e sotëm të dorëheqjes së Presidentit të vendit.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi po kalon një situatë të vështirë institucionale, e cila, përveç se duhet të përballohet me qetësi dhe maturi, kërkon edhe unifikim e vendime të përgjegjshme politike dhe institucionale.

Lidhja Demokratike e Kosovës beson thellë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e pastër dhe është zhvilluar vetëm si mjet i fundit për të ndaluar dhunën sistematike, represionin dhe gjenocidin e shtetit serb në Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e bindur thellë se drejtësia duhet të jetë e paanshme dhe e pavarur, apelon që insitucionet përkatëse të zbatojnë standardet më të larta për gjetjen e së vërtetës dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe të ligjshëm.