Jahjaga: Askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se po ndjek me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me Gjykatën Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ndaj presidentit në dorëheqje, Hashim Thaçit dhe ish-kreut të PDK-së Kadri Veselit.

“Është e rëndësishme të rikujtojmë se: Askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi! Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe çlirim nga okupimi i Serbisë ushtria e së cilës, atëkohë, po kryente vrasje masive, spastrim etnik, dhunime, e tortura ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës”.

“Në këtë kohë të zymtë është e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar, të kemi durim dhe besim në drejtësi! Të gjitha vendet e rajonit që kanë qenë në luftë mes vete duhet të ballafaqohen me të kaluarën. Kosova ka shprehur gatishmëri për këtë ballafaqim dhe i është përgjigjur gjithmonë thirrjes së drejtësisë”.

“Serbia, ndërkaq, si agresore e luftërave në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, e Kroaci është dashur qysh moti të ndjek këtë shembull! Pa mbyllur kapitujt e errët të luftës nuk mund të ndërtojmë paqe të qëndrueshme e stabilitet në rajon!”, shkruan Atifete Jahjaga.