Limaj në familjen e Jakup Krasniqit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj me bashkëpunëtorë ka vizituar familjen e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, pas arrestimit nga ana e EULEX-it me urdhër të Gjykatës Speciale.

Kryetari Limaj gjatë vizitës në familjen Krasniqi, tha se “e kupton mese miri dhe ndjenë shumë keqardhje për gjithë atë çfarë vërtetë ka përjetuar sot familja e bacës Jakup, por, është shprehur i sigurt se, bacin Jakup do ta presim shumë shpejt duke u kthyer fuqishëm me certifikatën të cilën e ka, që personifikon atë njeri humanist, njeri i ndershëm, një jetë të tërë në shërbim të publikut, vet sakrifikues, patriot e atdhetar”.

Gjithashtu, kryetari Limaj tha se, nuk ka personalitet në kombin shqiptar në mesin e të gjallëve, që është personifikim i lirisë, pavarësisë dhe drejtësisë të Kosovës së sa Jakup Krasniqi.

Po ashtu, kryetari Limaj familjes së bacës Jakup i tha se në çdo moment do ta ketë mbështetjen e tij, partisë dhe institucioneve të Kosovës deri në triumfin edhe të kësaj beteje.