Limaj: Bastisja nga EULEX-i ishte e panevojshme, Krasniqi nuk do t’i ikte drejtësisë

Kryetari i  Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një konferencë për media pas arrestimit të kryetarit të Këshillit të kësaj partie, Jakup Krasniqit, ka thënë që ishte e panevojshme bastisja që iu bë familjes Krasniqi.

Sipas Limajt, kjo gjë ka mundur të mos ndodhë, pasi sipas tij, Krasniqi nuk do t’i ikte kurrë drejtësisë.

“Ka qenë të panevojshme skena të tilla.Ne besojmë që një bastisje e tillë nëse ka qenë e nevojshme për drejtësinë ka mundur të bëhet krejt ndryshe, pa pasur nevojë të shkohet në 6 të mëngjesit, pa pasur nevojë të traumatizojë, por thjesht duke njohur personalitetin e Krasniqi, gjithë kjo ka mundur të bëhet në mënyrë tjetër”.

Limaj tutje tha se e kupton familjen Krasniqi pasi që ka kaluar edhe vet në këtë rrugë.

“E kuptoj se si njehet familja Krasniqi sepse kemi kaluar në situata të tilla dhe ne sot bashkë ndjejmë me ta”.

“Në situata të tilla vlerësohen personalitetet, njerëzit dhe sjellja e tyre, përgjegjshmëria e tyre ndaj proceseve. Krasniqi sot, unë besoj nuk ka personalitet në kombin shqiptar në mesin e të gjallëve, nuk ka sot as Kosova as Shqipëria që është personifikim i lirisë, i shtetit të Kosovës.”, tha Limaj.

Gjithashtu, kreu i Nismës ka thënë se ndihet krenar me jetën dhe veprën e Krasniqit, pasi i njëjti gjithë jetën e tij e ka pasur luftë për drejtësi, liri dhe mirëqenie.

“Ne ndihemi krenar me gjithë jetën dhe veprën e tij dhe ajo jetë dhe vepër e tij nuk daton nga 98-ta, por gjithë jeta e tij, nga vitet e 70-ta e gjithë jeta e tij ka qenë në shërbim të lirisë, ai me vetëdije ka sakrifikuar lirinë e vet individuale për lirinë kolektive”.

“Duke e njohur dhe duke qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i tij me vite të tëra, njeriu që na ka udhëzuar me këto virtyte, unë e di se çfarë do të thoshte sot z.Krasniqi sepse e ka dhënë në raste të tjera, ai asnjëherë s’do t’i bënte opozitë drejtësisë, s’do të dilte kundër drejtësisë. E gjithë jeta e tij është luftë për drejtësi, për liri dhe për mirëqenie”.

Limaj në fund ka thënë se Krasniqi po arrestohet në kohën kur zëdhënësi i Millosheviqit po emërohet kryetar Kuvendi në Serbi.

“Përkundër kësaj goditje, jo të papritur, ne qëndrojmë fort në mbështetje të fuqishme me besim të palëkundur në pastërti dhe atdhetarizmin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi”.