Nisma: Skenat e EULEX-it në shtëpinë e Krasniqit, të panevojshme

Anëtari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, përmes një konference për media ka treguar se bastisja në shtëpinë e Jakup Krasniqit është duke vazhduar ende.

“Edhe në këto momente bastsisja po vazhdon, kjo është bërë me urdhër të Dhomave të Specializuara, deri më tani s’kemi më shumë informacione. E vlerësojmë që kjo që kemi parë sot ka qenë e panevojshme, tërë jetën e tij Krasniqi ka luftuar për drejtësi. Ka sakrifikuar lirinë individuale në të gjitha etapat e jetës së tij. Krasniqi çdo herë ka qenë i gatshëm t’i përgjigjet thirrjeve të drejtësisë”, ka thënë Sherifi.

Tutje, Sherifi ka thënë se partia e tij, veprimet e sotme i konsideron si të panevojshme. Sipas tij, ka mjaftur vetëm një ftesë dhe Krasniqi do të ishte paraqitur për intervistim në zyrat e EULEX-it.

“Në emër te Nismës Socialdemokrate, ju drejtohem gjithë qytetarëve të Kosoves. Jakup Krasniqi gjithë jetën ia ka kushtuar drejtësisë. Tërë jetën ka luftuar për drejtësi. Po ashtu, siç e dini të gjithë, Krasniqi gjithmonë iu ka përgjigjur drejtëisë, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Gjithashtu edhe shteti i Kosovës ka vepruar njëjtë. Nisma Socialdemokrate ka besuar dhe vazhdon të besoj fuqishëm në luftën për drejtësi e barazi, dhe jeni të bindur se askush nuk mund ta njëllos luftën e Ushtrisë Çlirmtare. Nisma konsideron se, siç e theksuam më lart, veprimet e sotme nuk kanë qenë të nevojshme. Ka mjaftuar vetëm një ftese dhe ai do të ishte paraqitur për intervistim, siç janë paraqitur të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare”, ka thënë Sherifi.