Tre viktima nga sulmi me thikë në Francë

Ka shkuar në tre numri i viktimave nga sulmi me thikë në Francë, Macron niset drejt vendngjarjes. Sipas Le Figaro, në vendin e ngjarjes janë gjetur të pajeta dy femra dhe një burrë.

“Sipas burimeve tona policore, trupi i njërës prej dy grave u gjet e pajetë në kishë. E dyta humbi jetën në rrugë, ndërsa po kërkonte të fshihej në një kafene aty pranë. Një burrë gjithashtu u gjet i vdekur”, shkruan media franceze.

Sulmi me thikë ka ndodhur në Nice, sipas raporteve nga mediat franceze. Presidenti francez Macron është nisur drejt vendngjarjes. Autoritetet zyrtare vendase thonë se një person është arrestuar deri tani. Kryebashkiaku i Nice, Christian Estrosi tha se gjithçka tregon se bëhet fjalë për një “sulm terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

Ministri i Brendshëm u bëri thirrje njerëzve të shmangin zonën ku ka ndodhur ngjarja.

Situata në Francë është rënduar qëkur një mësuesi iu pre koka, pasi ua kishte treguar nxënësve karikaturat e profetit Muhamed.

Kjo ngjarje e para pak ditëve, nxiti valë zemërimesh dhe presidenti francez Emmanuel Macron, vendosi të vë këto karikatura edhe në objektin e Qeverisë, si shenjë e demokracisë dhe e fjalës së lirë.

Pas kësaj, u përfshi Turqia dhe presidenti i saj Recep Tayyip Erdogan, duke akuzuar Francën dhe Macronin, të cilin e quajti “të çmendur”.

Turqia si “kundërpërgjigje ftoi që të bojkotohen produktet franceze.