Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Kadri Shala për shkak të veprës penale Shpëlarja e parave nga neni 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me veprën penale e Pastrimit të parave.
Të pandehurit Kadri Shala i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji duke filluar prej datës 26 tetor 2020 gjerë me datë 25 nëntor 2020.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit është e bazuar dhe paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187 par. 1 nen par. 1 dhe 2 pika 1.2.2 dhe pika 1.2.3 të KPP-së.
Të pandehurit Kadri Shala i është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe në këtë mënyrë do të jetë i paarritshëm për organet e drejtësisë, mund të pengon rrjedhjen e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës tjerë, andaj caktimi i masës së paraburgimit për të pandehurin Kadri Shala është masë adekuate për sigurimin e pranisë së tij në procedurë penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata njofton më tej se i pandehuri Kadri Shala dyshohet se së bashku me të pandehurin Labinot Gruda në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit nga neni 414. Par.2 dhe 3 pika 3.4 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-ës, Shpërlarja e parave nga neni 302 të KPRK-së, lidhur me veprën penale e Pastrimit të parave nga neni 56 i Ligjit nr. 05/L-096 për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit, ndërlidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.
Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.