Hoti: Mashtruesit dhe keqpërdoruesit do të dalin sikurse minjtë në sipërfaqe, nuk kanë vend në institucione

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është deklaruar për herë të parë pas skandalit të keqpërdorimit të 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, duke thënë se mashtruesit dhe keqpërdoruesit nuk kanë vend në institucione.

Ai këto komente i bëri gjatë një konference për medie, duke shtuar se ata do të dalin në sipërfaqe sikurse minjtë.

“Ministrja Bajrami është në krye të aktivitetit për t’u siguruar që organet e rendit janë duke bërë punën e vet. Mashtruesit dhe keqpërdoruesit brenda sistemit publik dhe në institucione nuk kanë me pasur vend, kanë me dalë në sipërfaqe së shpejti sikurse minjtë kur t’iu hyn uji përfundi”, tha Hoti, përcjell Telegrafi.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami kishte sqaruar keqpërdorimin prej dy milionë eurove në Thesarin e Shtetit dhe janë transferuar te një operator ekonomik.

Sipas saj, janë kryer katër transaksione, ku është arrestuar dhe është suspenduar një zyrtar i ministrisë.

“Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimte nga Thesari i Shtetit dhe janë transferuar mbi 2.1 milionë euro janë bartur në një xhirollogari të një operatori ekonomik. Janë mbi dy zyrtarë të dyshuar, njëri është arrestuar, tjetri është suspenduar. Kemi gjurmuar të gjitha transakasionet dhe jemi duke hetuar ku është transaksioni fundor. Është rast i izoluar, mjetet dhe buxheti i Kosovës është stabil. Gjithçka po gjurmohet sepse është transakasion bankar e nuk janë tërhequr, të gjitha gjurmët janë në Bankën Qendrore të Kosovës”, kishte thënë Bajrami.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raport.