Një i burgosur në Dubravë kryen vetëvrasje

Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton se mbrëmë në orën 22:41 në Qendrën Korrektuese në Dubravë, i burgosuri me inicialet V. H i lindur më 1991, është gjetur i vdekur. Ai kishte kryer vetëvrasje.

“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë dhe si pasojë i njëjti ka ndërruar jetë. Sipas Raportit Mjekësor të Stacionarit, i burgosuri V.H në vazhdimësi ka pasur probleme shëndetësore të natyrës mendore për çka është trajtuar në vazhdimësi nga mjeku i burgut, psikiatri, psikologu, si dhe nga specialistët e Klinikës Psikiatrike dhe asaj Forenzike”, njofton SHKK-ja.

SHKK njofton se personi në fjalë ishte i dënuar për veprën penale: Lëndim i rëndë trupor dhe vjedhje e rëndë.

“Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK ka themeluar Komisioni Hetimor Administrativ. Stafi mjekësor i Stacionarit të Burgut të Dubravës ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikoj shkakun e vdekjes”, njofton SHKK-ja.