Kryetari i partisë kryesore në koalicionin qeverisës, LDK, Isa Mustafa, i ka dal në mbrojtje ministres së Financave, Hykmete Bajrami, nga e cila sot është kërkuar dorëheqja pas vjedhjes së dy milionë eurove nga Thesari i shtetit.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ministrja Bajrami është aty për t’u përballur me kriminelët e jo të dorëzohet.
Edhe vetë Bajrami ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, pasi ajo i është kërkuar nga PDK-ja.
“E përkrah plotësisht ministren e Financave, Hykmete Bajrami në betejën e saj kundër kriminelëve që vodhën mbi 2 milion euro nga Thesari i shtetit. Shoh se dikush ka dëshirë dhe bën thirrje që ajo të japë dorëheqje. Por ata duhet ta kuptojnë se ministrja Bajrami nuk është aty për t’u dorëzuar para hajdutëve duke krijuar boshllëk për fshehjen e gjurmëve të vjedhjes së parasë publike, por për t’u ballafaquar me krimin dhe me hajdutët, ashtu siç po vepron me të drejtë ajo. Krimi, korrupsionin dhe plaçkitja e parasë publike ka adresë. Ftoj të gjitha organet shtetërore të punojnë për zbardhjen e shpejtë të këtij rasti, që të kthehen paratë e vjedhura nga Buxheti i shtetit dhe kriminelët të përgjigjen para ligjit”, ka thënë Mustafa.
Për vjedhjen e dy milionë eurove, është arrestuar një zyrtar i Thesarit, ndërkohë pronarët e operatorit ekonomik, ku kanë përfunduar mjetet nga Thesari, janë në arrati.
Ministrja Bajrami vjen nga LDK-ja, sikurse edhe kryeministri Avdullah Hoti. Në fakt, Mustafa të mërkurën në mëngjes postoi një shkrim mbështetës edhe për Hotin, që u thirr në interpelancë nga deputetet.