Ministrja e Ministrisë së Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk do të japë dorëheqje pas ‘avullimit’ të dy milionë eurove nga Thesari i shtetit, pasi një gjë të tillë ia kërkoi Partia Demokratike e Kosovës.
Përveç që tha se nuk do të japë dorëheqje, Bajrami ia përmendi PDK’së rastin e vjedhjes së Dhomës së Përgjimeve, e ku pas kësaj askush nuk ka dhënë dorëheqje edhe pse PDK’ja ishte në qeverisje.
“Jo absolutisht bazuar në kërkesen e PDK’së nuk do të japë dorëheqje. Më e lehta do të ishte të japë dorëheqje dhe të marrë përgjegjësi që nuk më takon. Nuk lejoj që ata që kanë kryer krim të organizuar të lëvizin të lirë për shkak se ministrja ka dhënë dorëheqje”, është shprehur Bajrami.
“Sa i përket PDK’së, në kohën e tyre është vjedhur Dhoma e Dëshmive dhe askush s’ka dhënë përgjegjësi”, ka thënë Bajrami në RTV Dukagjin.
Ajo gjithashtu tregoi se në cilin rast do të jepte dorëheqje.
“Vetëm nëse në një hallkë është përgjegjësia ime, unë do të jepja dorëheqje”, ka thënë Bajrami.
Krejt në fund, Bajrami premtoi në zbardhjen e plotë të rastit për shkak se, sipas saj, gjurmët nuk mund të zhduken.
“I gjithë transaksioni i dyshimtë është gjurmuar. Nuk ka mundësi të zhduken gjurmët. Të gjitha llogaritë e përfitueseve janë të regjistruara. Ky krim nuk është vetëm kibernetik, por edhe krim i organizuar mirë ekonomik”, shtoi Bajrami.