Lëvizja Vetëvendosje pati kritika ndaj ministrit Selim Selimi.
Në anën tjetër, Selimi ka thënë se edhe LVV-ja nëpërmjet ish ministres Albulena Haxhiu, ka qenë e përfshirë në hartimin e Kodit Civil.
Sipas Selimit, deputeti që e kritikoi, Alban Hyseni së pari “do të duhej ta lexonte Kodin e pastaj t’i jepte komentet e veta”.
Ndërkohë që për deklaratat e deputetit Abelard Tahiri, se nuk është mazhoranca këtu dhe nuk do ta votojnë, ai ka thënë se janë gabim.
“Edhe ju keni punuar në këtë Kod, nuk është politika, mazhorancë, minorancë”, ka theksuar Selimi.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të Selimit i cili i ka thënë deputetin e LVV-së që të lexojë Kodin e pastaj të kritikojë.
Sipas Osmanit, Selimi, ministrat e tjerë dhe kryeministri duhet ta kuptojnë se në Kuvend janë në “shtëpinë e deputetëve” dhe se duhet ta ndalojnë qasjen e akuzave, të ofendimeve në raport me deputetët.
“Ju rekomandoj shumë miqësisht, që në vend se t’i akuzoni deputetët që nuk po e lexojnë Kodin, të uleni dhe të punoni me ta, sepse do të ju duhen deputetët”, është shprehur Osmani.