Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se situata me COVID-19 në Gjilan është e menaxhueshme, pas rritjes së numrit të rasteve pozitive, gjatë ditëve të fundit.
Ismajli ka thënë se nuk ka vend për shqetësim, por nevojitet kujdes për ta parandaluar përhapjen e virusit.
“E vemja mënyrë e parandalimit të përhapjes është bartja e maskave, larja e duarve dhe mbajtja e distancës mes nesh. Kjo duhet të respektohet me përpikmëri nga institucionet publike, shkollat e gastronomi.a Sa i përket infeksionit në dy shkolla, njërën private dhe tjetrën publike, nuk bëhet fjalë për mbylljen e tyre. Jemi duke e bërë hulumtimin e fundit për këtë”, ka thënë Ismajli, pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjendja e përgjithshme në Gjilan sa i përket përballjes me COVID-19, është kjo: 1187 raste pozitive në total, 998 të shëruar, 140 raste aktive, 49 të vdekur, 13 në hospitalizim dhe 160 mostra në pritje.