Ditën kur Qeveria e ka shpërbërë taskforcën policore kundër korrupsion, ka miratuar edhe një dokument konfrontues me këtë vendimmarrje. Ajo ka votuar pro Agjendës së re të Reformave Evropiane (ERA 2), top prioritet i së cilës është luftimi i korrupsionit në nivelin e lartë. Prioritetet e ERA 2 ishin negociuar nga Qeveria dhe Komisioni Evropian dhe janë finalizuar këtë muaj nga kryeministri i Kosovës dhe komisionari i Bashkimit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit.
KOHA ka siguruar dokumentin e miratuar të hënën në Qeveri, i cili luftën kundër korrupsionit e ka vënë në krye të prioriteteve.
“Intensifikimi i punës në rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke krijuar kështu performancë të fuqishme të gjithmbarshme në hetimin proaktiv, ndjekjes penale, dënimeve përfundimtare dhe konfiskimeve përfundimtare të pasurive të fituara me vepër penale, duke iu kushtuar vëmendje të veçantë rasteve të transferuara nga EULEX-i”, është prioriteti i parë i listuar në këtë dokument. ERA 2 përmban 15 prioritete politike për zbatimin e reformave që kërkon Marrëveshja e StabilizimAsociimit (MSA), përmes përafrimit të legjislacionit dhe politikave të Kosovës me acquis dhe standardet evropiane, dhe zbatimit të tyre. Ato janë akomoduar në tri shtyllat e dokumentit: Qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit; Konkurrueshmëria, klima e investimeve dhe zhvillimi i qëndrueshëm; dhe Punësimi, arsimi dhe shëndetësia. Në shtyllën e parë janë renditur prioritetet që lidhen me luftën kundër krimeve të rënda, mes të cilave ka të tilla që parashohin luftim të përbashkët me vendet anëtare të BE-së. “Intensifikimi i luftimit të krimit të organizuar, përmes rritjes së bashkë – punimit dypalësh me shtetet anëtare të BE-së (përfshirë përdorimin e ekipeve të përbashkëta hetimore) në luftimin e shpëlarjes së parave, dhe trafikimit të qenieve njerëzore dhe të armëve të zjarrit”, është një nga prioritetet.
Mes të tjerash, aty është listuar edhe rishikimi i ligjeve për trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, sikur është Kodi Penal dhe Ligji mbi kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me vepër penale, si dhe ligjeve që trajtojnë parandalimin e korrupsionit, sikur është Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit dhe Ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve. Është listuar si prioritet edhe miratimi i legjislacionit të mbetur për trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me opinionet përkatëse të Komisionit të Venedikut: Kodit të rishikuar të Procedurës Penale, legjislacionit të rishikuar për financimin e partive politike, dhe legjislacionit për parandalimin e korrupsionit.