Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), konsideron të panevojshme mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe e sheh të domosdoshme që Qeveria Hoti të përfundojë mandatin e saj qeverisës, por nuk e përjashtuar këtë opsion në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Kryetari i kësaj partie tha se Kosova përballet me shumë probleme të cilat kërkojnë zgjidhje dhe se shkuarja në një proces të ri zgjedhor do të ishte krejtësisht e panevojshme.
“Nuk është mirë të shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet nuk na duhen pasi vendi ka nevojë për zgjidhjen e shumë problemeve të brendshme në Kosovë dhe duhet të përmbyllim këtë mandat deri në fund”, u shpreh Isa Mustafa në Debat të RTK-së.
Megjithatë, i pari i LDK-së, e cila qeveris vendin pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, thotë se nëse nuk arrihet marrëveshja për presidentin, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje.
Ai ndërkaq nuk ka dashur të komentojë kandidaturën e kreut të AAK-së për të parin e vendit, duke thënë se kjo çështje nuk është diskutuar brenda organeve të partisë.
“Ramush Haradinaj ka shprehur vullnetin e tij që të kandidojë. Nuk e kemi diskutuar në LDK, pasi kemi një president që është në zyrë”, tha Mustafa.
Ai ka folur edhe rreth paralajmërimeve të Vjosa Osmanit për krijimin e një nisme të re politike, pasi ndau rrugët një herë e përgjithmonë me LDK-në.
“Themelimi i një partie të re është çështje e vlerësimeve të saj. Nuk guxojmë të bëjnë politika të hatër-mbetjes. Nuk dëshiroj të komentoj deklaratat e Vjosa Osmanit. Nëse ka sukses, i dëshiroj sukses. Çdo njeri e provon njëherë”, tha Mustafa.