Kryeministri Avdullah Hoti i është përgjigjur emisarit special për dialog, Mirosllav Lajçak, ku tha se Kosova edhe Serbia duhet të bëjnë ndryshime Kushtetuese për të vënën në funksion Asociacionin e Komunave Serbe.
Hoti ka thënë se shteti i Kosovës i ka vendosur parimet e tij karshi dialogut, duke siguruar se nuk do të preket integriteti territorial si dhe karakteri unitar i Kosovës.
Duke mos dashur të tregojë se a do të bëhen ndryshime kushtetuese apo jo, ashtu siç po kërkon ndërmjetësi i dialogut, Miroslav Lajçak, shefi i qeverisë tha se marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse obligative që i adreson të gjitha çështjet në mes dy vendeve me pikën e parë drejtë njohjes reciproke.
“I dini parimet që ne i kemi vendosur për procesin e dialogut që nuk bisedohet për çështjen e shkëmbimit të territoreve dhe kjo është hequr nga tavolina e bisedimeve, parimi i dytë është se nuk preket karakteri unitar i Kosovës dhe marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse obligative që i adreson të gjitha çështjet në mes dy vendeve me pikën e parë drejtë njohjes reciproke. Ne jemi në proces të dialogut dhe unë jam i kënaqur me progresin qe është bërë deri më tani, parimet që jemi duke mbajtur të cilët po respektohen nga partnerët tanë ndërkombëtar edhe nga ndërmjetësi i dialogut”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit, Avdullah Hoti ka folur edhe pikën e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë e cila ka të bëjë me fazën e fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit për çka tha se në Prishtinë ndodhet një ekip ekspertësh të Departamentit Amerikan.
“Një ekip e ekspertëve të departamentit amerikan është në Kosovë, në Prishtinë janë duke i studiuar të gjitha modalitetet e nevojshme për të kryer këtë studim të fizibilitetit”, tha ai.
Këto komente kryeministri, Hoti u bëri pas vizitës që zhvilloi në Komunën e Klinës.