Inspektorati në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë mbyllur disa kafiteri në kryeqytet në orët e vona të së premtes për shkak të mosrespektimit të masave anti-COVID.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook.
“Bashkë me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin, sonte kemi mbyllur disa kafiteri në rrugën ‘Rexhep Luci’, në ‘Rrugën B’, te ‘Kafet e Vogla’ dhe te ‘Kafet e rakisë’ që shkelnin rregullat – grumbullim i madh në hapësirë të vogël, në kundërshtim me masat anti-COVID. Respektimi i masave anti-COVID, është obligim për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha bizneset private ku mund të ekzistojë rreziku i përhapjes së virusit vdekjeprurës. Shifrat e frikshme në tërë Evropën dhe rekomandimet e institucioneve tona, kanë mobilizuar organet për zbatimin e masave anti-COVID. Kushdo që shkel masat anti-COVID, do të përballet me sanksione dhe pasojat e shkeljes së këtyre rregullave”, ka shkruar Zemaj në Facebook.