Thaçi kritikon Hotin për marrëveshjen e Uashingtonit: E dhimbshme që u hoq pika për njohje reciproke

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka kritikuar ekzekutivin për marrëveshjen e Uashingtonit. Ai ka thënë se janë dy pika për të cilat nuk do të pajtohej nëse ai do të ishte në Shtëpinë e Bardhë, raporton Gazeta Stop.

Presidenti ka thënë se është pro 90% të pikave që janë nënshkruar, megjithatë, ka kritikuar dy pika tjera.

“Pothuajse mbi 90% pro, kjo çështje fillimisht është diskutuar në Berlin ku kam marrë pjesë bashkë me ambasadorin Grenell. Është e dhimbshme që është hequr pika për njohje, ende nuk e di rrethanat si është larguar kjo pikë, çështja e minishengenit ka qenë e diskutuar gjithmonë nga ana e jonë”, ka thënë presidenti.

Ai ka shtuar se përveç këtyre dy pikave, të tjerat janë ato për të cilat është diskutuar edhe në Berlin.

“Çështjet tjera kanë qenë në përputhje me ato që kemi diskutuar edhe në javën e parë të marsit në Shtëpinë e Bardhë në takimet që kemi pasur me presidentin Vuciq dhe administratën e SHBA’së”, ka shtuar ai.