Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është qartë një apostull dhe adhurues i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. Hoti pohoi në një intervistë për emisionin Ballkan, se Rugova mbetet president historik i Kosovës dhe shqiptarët e kanë idhull atë.
Kryeministri i LDK-së, partia e presidentit të ndjerë Rugova, ka pasur përvojë në institucionet e Kosovës që nga viti 2006, por nuk ka qenë i përfshirë në negociatat e mëdha ndërkombëtare për Kosovën dhe as në takime të nivelit të tillë të lartë si ai me presidentin Trump.“Nuk është që kam ndonjë përvojë në takime të tilla.
Vërtetë që ishte përvojë e veçantë.
Por kur e mora mandatin si kryeministër, e mora në një kohë bukur, të vështirë. Do të thoja në një periudhë të izolimit të plotë të vendit nga partnerët tanë ndërkombëtarë. I dakorduam me miqtë tanë disa veprime që duhet ti bënim ne si qeveri, në mënyrë që të na hapej rruga, edhe për Uashington, edhe për Bruksel, edhe për investime, edhe për cështje të tjera.
Pra që të lëviznim përpara si një shtet normal që aspiron integrimin euro-atlantik” tha ai.Hoti thekson se në fillim të mandatit ka marrë vendime të vështira, jo populiste.
“Takimi në Uashington ishte edhe rezultat i këtyre veprimeve që bëmë”.Kryeministri I Kosovës pranon se marrëveshja në Uashington nuk ishte perfekte, por thekson përfitimet e vendit nga ajo marrëveshje.“U desh ndoshta një shtytje e madhe nga Uashingtoni për BE-në, edhe për dialogun që është duke ndodhur në Bruksel, dhe vëmendja e presidentit Trump ka qenë në këto, pra çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të nxisin bashkëpunimin ekonomik në mes të dy vendeve”.