Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka njoftuar se gazetarëve nuk u kufizohet lëvizja, vetëm ata duhet të kenë me vete dokumente që dëshmojnë se janë gazetar.
Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që të ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 mars 2020, gjatë orës 10:00 – 16:00 dhe prej orës 20:00 – 06:00, njofton Koha.
Sipas këtij vendimi, përjashtim bëhet përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).
Gazetarëve dhe punonjësve tjerë medial nuk u kufizohet lëvizja, me vete ta kenë ID-në e punës
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kontaktuar Zëdhënësin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu, për të marrë më shumë informata rreth masave të reja të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në lidhje qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve private nga data 24 mars 2020, gjatë orës 10:00-16:00 dhe nga 20:00 – 06:00. Komuniteti i mediave, gazetarët dhe ekipi përcjellës, mund të vazhdojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të rregullt, në përputhje me urdhëresat të cilat tashmë janë në fuqi. Gazetarët, kameramanët, fotoreporterë dhe punëtorët medial duhet që gjatë gjithë kohës të mbajnë me vete I.D. e tyre të punës, të cilat dëshmojnë angazhimin e tyre profesional. Gjithashtu, udhëtimin e tyre gjatë përcjelljeve të ngjarjeve në teren, ta bëjnë me vetura zyrtare dhe të regjistruara si pronë e mediumit ku ata punojnë” – thuhet në përgjigjen zyrtare të AGK-së.