Përfaqësuesja e Zvicrës U-21 ka disa lojtarë me potencial të madh për një karrierë të gjatë në ekipin përfaqësues, shkruan të mërkurën “Blick”. Shpresat e Zvicrës të martën mbrëma me fitoren ndaj Lihtenshtajnit 3:0 siguruan kualifikimin për kampionatin Evropian “Euro 2021”. Pjesë e këtij suksesi janë edhe Toni Domgjoni, Bastien Toma dhe Andi Zeqiri. Dy të parët luajnë si mesfushorë, kurse Zeqiri sulmues. Të tre futbollistët, që Kosova i sheh si pjesë të saj, Zvicra i llogarit si pasardhës të dy yjeve të ekipit A, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka.
“Konkurrenca në qendër të mesfushës është e madhe me Granit Xhakën, Denis Zakarian, Djibril Sow dhe Remo Freulerin. Nuk ka dyshim që edhe Domgjoni dhe Toma janë të shkëlqyeshëm. Nëse kjo është e mjaftueshme për të luajtur një rol në ekipin ‘A’ kombëtar në planin afatgjatë, është ende e diskutueshme. Andi Zeqiri është njeriu nga Lozana që shënoi nëntë gola në tetë ndeshjet kualifikuese. Është një lojtar nuhatës për gol dhe gjithashtu do të jetë interesant për ekipin ‘A’ përfaqësues në një moment”, shkruan “Blick”.
Në fakt, sulmuesi i Brightonit, Zeqiri, po kërkohet edhe nga Kosova. Fillimisht babai i tij e kishte konfirmuar se ai do të luante për Kosovën, por më pas vetë Zeqiri tha se ka vendosur të vazhdojë me Zvicrën së paku deri në fund të ciklit eliminator për Evropian. Megjithatë Zvicra e sheh Zeqirin si lojtar të rëndësishëm për të ardhmen. Pjesë e rëndësishme e Zvicrës aktualisht janë Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka. Të dy janë liderë në fushë, Xhaka si mesfushor i qendrës, kurse Shaqiri si sulmues i krahut. Xhaka dhe Shaqiri të martën mbrëma ishin titullarë për Zvicrën në barazimin kundër Gjermanisë (3:3), në kuadër të Ligës së Kombeve. Xhaka, që është kapiten te Zvicra, luajti tërë ndeshjen dhe u ndëshkua me të verdhë, ndërsa Shaqiri luajti 66 minuta. Nga minuta e 75-të u aktivizua Admir Mehmedi. Si Shaqiri ashtu edhe Xhaka janë të zhgënjyer që nuk kanë arritur ta fitojnë ndeshjen ndaj Gjermanisë.
“Unë dua gjithmonë të tregoj më të mirën dhe jam gjithmonë me zemër aty. Për fat të keq mjaftoi vetëm për barazim, por mund të jemi të lumtur me performancën”, ka thënë Shaqiri.