Zyra e Rregullatorit të Energjisë sot ka ndaluar prodhimin e energjisë nga kompania KELKOS në tri hidrocentrale në grykën e Deçanit.
Por KELKOS përmes një reagimi thotë se hidrocentralet e sapondërtuara janë mbyllur vullnetarisht dje.
“KelKos Energy konfirmon se tre hidrocentralet e sapondërtuara Deçan, Belaje dhe Lumbardhi II janë mbyllur vullnetarisht dje pasdite, pasi Lejet Mjedisore nuk janë përfunduar nga Ministria e Ekonomisë dhe Mjedisit në kohën e duhur. Me këtë është respektuar periudha e përkohshme e licencimit, e përcaktuar për KelKos Energy nga ZRrE”, theksohet në njoftim.
KELKOS thotë se për shkak të mbylljes së pjesshme të institucioneve publike në Kosovë si pasojë e pandemisë, procesi i lejeve është ndërprerë për disa muaj.
“Gjatë javëve të kaluara, dokumentet e nevojshme dhe të gjitha konfirmimet mjedisore janë sqaruar me Ministrinë e Mjedisit. Në orët e fundit të afatit, Ministria e Mjedisit kërkoi nga KelKos Energy një konfirmim shtesë të ekspertit teknik në lidhje me HEC Lumbardhi II, konfirmim ky që nuk ndërlidhet fare me ndonjë problem mjedisor! Kjo ekspertizë do t’i dorëzohet ministrisë. Kushtet e lejes për dy HEC-et e tjera Belaje dhe Deçan konsiderohen të plotësuara dhe Kelkos Energy pret nga Ministria e Mjedisit lëshimin e menjëhershme të Lejeve Mjedisore përkatëse. Kelkos Energy do t’i shfrytëzoj këto ditë të mbylljes së përkohshme për mirëmbajtje dhe pastrim kryesorë pas përmbytjeve të mëdha të javëve të fundit”, thuhet tutje.
KELKOS gjithashtu thotë se hidrocentrali ekzistues Lumbardhi I do të vazhdojë funksionimin e tij dhe do të prodhojë energji të gjelbër dhe të pastër për qytetarët e Deçanit.
“KelKos Energy mbetet e përkushtuar në ruajtjen e mjedisit dhe prodhimin e energjisë së gjelbër dhe është në koordinim të rregullt me aktivistët mjedisor dhe OJQ-të në mënyrë që të optimizohet integrimi i hidrocentraleve në habitatin ekzistues natyror”, thotë KELKOS.
Ndërkaq Bordi i ZRRE-së njofton përmes një kumtese se sot ka diskutuar në lidhje me kushtin e vendosur në vendimet për licenca të përkohshme të ndërmarrjes “KelkosEnergy” Sh.P.K, të datës 14 tetor 2019 për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme nga Hidrocentralet “Lumbardhi II”, “Deçani” dhe “Belaja”.
“Për shkak se ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë lejen mjedisore nga Ministria e Ambientit siç është kushtëzuar me vendimet e licencave të përkohëshme, Bordi ka konstatuar se licencave ju ka skaduar afati dhe hidrocentralet në fjalë nuk ju lejohet të operojnë më tutje”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.