Shumë shpejt, kosovarët do të duhet të paguajnë që të hyjnë në Bogë, Prevallë, Rugovë dhe parqet e tjera nacionale në vend. Laurat në hyrje të këtyre parqeve tashmë janë vendosur, e vetëm po pritet një vendim i Ministrisë së Ambientit për të filluar me pagesat.
Tash e dy vite, është dhënë paralajmërimi se parqet nacionale në vend do të bëhen me pagesë.
Mirëpo, përveç vendosjes së laurave në hyrje të këtyre parqeve, me pagesa nuk është filluar ende. Por, një vendim i tillë pritet që të merret së shpejti.
“Në aspektin teknik laurat në hyrje të parqeve janë përgatitë, ndërsa për aktivizimin e pagesave ende nuk ka filluar, në momentin që do të merret vendim nga Ministria/AMMK atëherë do t’u informojmë”, kanë deklaruar nga Ministria e Ekonomisë.
Nga kjo Ministri janë deklaruar edhe për arsyen e vendosjes së pagesave për hyrje në këto parqe.
Zëdhënësi i MEA’së, Bajram Kadriu, ka thënë se qëllimi kryesor i vendosjes së laurave është mbrojtja e këtyre resurseve natyrore nga veprimet ilegale, siç janë prerja e pyjeve, ndërtimet dhe gjuetia ilegale dhe degradimet e tjera.
“Me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës si dhe menaxhimin e parqeve kombëtare janë të parapara kompensimet për çdo lloj të shfrytëzimit të resurseve dhe hapësirës së parqeve kombëtare nga bizneset dhe vizitorët si dhe për hyrjet në territorin e parqeve kombëtare.
Prandaj qëllimi kryesor i vendosjes së laurave është për mbrojtjen e këtyre resurseve natyrore nga veprimet ilegale që ndodhin në territorin e Parqeve Kombëtare siç mund të jenë: prerja e pyjeve, ndërtimet ilegale, gjueti ilegale si dhe degradimet tjera”, ka deklaruar Kadriu.
E përveç mbrojtjes nga degradimet, arsyeja tjetër pse po vendosen këto laura është edhe për të siguruar të hyra të cilat do të përdoren për përmirësim të infrastrukturës në parqe.
“Qëllim tjetër është edhe vendosjes së sistemit të pagesave hyrëse në këto qendra turistike nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës për të siguruar të hyra të cilat këto mjete do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës (rregullimin e parkingjeve, vendosjen e tabelave informuese, menaxhimin me mbeturina, shenjezimin e kufirit të Parqeve Kombëtare etj.)”, ka thënë Kadriu.
Por, sa do të duhet të paguajnë qytetarët për t’i vizituar këto parqe?
Bazuar në tabelën me çmime që ka siguruar Gazeta Express nga MEA’ja, çmimet për hyrje dhe vizita gjatë një dite në këto parqe fillojnë nga 50 centë e deri në 3 euro.
Për fëmijë të moshës 10 deri 18-vjeçare hyrja kushton 50 centë në ditë, derisa për persona të rritur është 1 euro.
1 euro kushton edhe hyrja për automjete dhe motoçikleta, ndërkohë që për të hyrë me kombibus në këto parqe duhet të paguani 2 euro.
Kosto më të lartë ka hyrja me autobus dhe kamionë. Kushdo që ua mësyn këtyre parqeve me këto automjete do të duhet t’i paguajë 3 euro për një ditë.
Ndryshe, një pagesë e tillë tashmë aplikohet në Brezovicë. Laura në këtë qendër turistike është vendosur në janar të vitit 2018 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sidoqoftë, që nga aplikimi i kësaj takse, shumë qytetarë janë shprehur kundër saj. Sipas tyre, së pari do të duhej të investohej nëpër qendrat turistike dhe pastaj të vendosej taksa.