Te Drita po synojnë edhe fitoren e tretë në po aq ndeshje të zhvilluara këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Kampionia e Kosovës, Drita, të mërkurën (sot) do ta luajë ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë kundër Trepçës ’89.
Kjo ndeshje nis në orën 14:00 dhe luhet në stadiumin e qytetit në Gjilan. Për shkak të angazhimeve në kupat evropiane, përkatësisht paraqitjes në raundet eliminatore të Ligës së Evropës, Drita nuk i luajti ndeshjet e tri xhirove të para të elitës së futbollit kosovar. Pas eliminimit në raundin e dytë kualifikues, Drita nisi rrugëtimin edhe në kampionatin e Kosovës dhe deri më tash i ka luajtur dy ndeshje, me Besën dhe Feronikelin, që i ka fituar. E zë vendin e katërt në tabelë me gjashtë pikë. Drita i ka tri ndeshje të pazhvilluara. Por ndaj Trepçës ’89, duhet të luajë edhe me Llapin dhe Prishtinën, në terminë që do të caktohen më vonë.
Në fakt Drita vikendin e shkuar është dashur të përballej me Llapin, por ishte ekipi nga Podujeva që kërkoi shtyrjen e ndeshjes për shkak se kishte dy futbollistë të angazhuar te Përfaqësuesja U-21. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, të martën ka thënë për KOHËN se synimi i ekipit të tij në duelin ndaj Trepçës ’89 është fitorja. Ai ka shtuar se nuk do të jetë lehtë. Nuhiu e ka vlerësuar lart skuadrën nga Mitrovica. Megjithatë, ka pranuar se kualiteti është në anën e Dritës për këtë përballje.
“Cilësia është në anën tonë, por ne duhet të japim maksimumin në këtë ndeshje për të marrë pikët maksimale, që natyrisht janë edhe synimi ynë. Natyrisht duhet të tregohemi të kujdesshëm në pikat e forta të Trepçës ’89, që është një ekip i mirë. Trepça ’89 di të luajë mirë kundër ekipeve që pretendojnë kreun e tabelës dhe për këtë arsye nuk do të jetë lehtë për ne. Është treguar gjithmonë kockë e fortë dhe vazhdon të jetë e tillë edhe këtë sezon”, është shprehur Nuhiu.