Komuna e Kamenicës 200 euro për foshnjat e posalindura

Komuna e Kamenicës do të mbështes secilin çift me nga 200 euro për çdo fëmijë të posalindur.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati.

Kastrati ka thënë se lindja dhe rritja e fëmijëve është sfidë e përgjegjësi e madhe, andaj çiftet tani e tutje do të subvencionohen me nga 200 euro.

“Krijimi i familjes është njëri nga vendimet më të rëndësishme për çdo qift. Lindja dhe rritja e fëmijëve është lumturi dhe përgjegjësi e sfidë e madhe. Sa më të vështira kushtet ekonomike aq më e madhe sfida. Shkalla e varfërisë së fëmijëve në Kosovë është ende e lartë. Shpenzimet në familje janë të mëdha e të hyrat e vogla. Kjo është më e theksuar në komunat e vogla sikurse Kamenica që ka zvogëlim të natalitet e shpërngulje të qytetarëve. Andaj, tani e tutje do të mbështesim çdo lindje me nga 200 euro për të gjithë prindërit që jetojnë në Komunën e Kamenicës. Shpresojmë që kjo vlerë të ndihmojë sadopak në nga nevojat themelore për foshnje. Të vegjlit meritojnë të nisin jetën në kushte sa më të mira. Urime”.