Zëvendëskryeministri, Haki Abazi, ka arsyetuar masat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve,.
Ai ka thënë vendimi i Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve është në pajtim me Kushtetutën. Reagimi i tij vjen pas atij të presidentit Hashim Thaçi, se me këtë vendim u shkel Kushtetuta.
“Neni 55, paragrafi 1 i Kushtetutës lejon kufizimin e të drejtave të njeriut në pajtim me ligjin. Kufizimi i lirisë së lëvizjes në vendimin tonë bazohet në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, neni 41.2, i cili lejon ‘ndalimin i qarkullimit në rajonet e infektuara ose drejtpërsëdrejti të rrezikuara”, ka thënë Abazi.
Ai ka përmendur nenin 55 ,sipas të cilit autorizohet kufizimi i lirisë së lëvizjes.
“Përveç nenit 55, paragrafi 1, kufizimi i lirisë së lëvizjes në rastin konkret, përmbush edhe kriteret e tjera të nenit 55: Sipas vlerësimit të IKShPK-së, ky kufizim është i domosdoshëm për përmbushjen e një qëllimi legjitim, atij të mbrojtjes së shëndetit publik. Sipas këtij vlerësimi të IKShPK-së, nuk mund të parandalohet përhapja e virusit në mënyrë efikase, pa vendosur këto kufizime. Prandaj, kufizimi i lirisë së lëvizjes në vendimin e sotëm, është në pajtim me Kushtetutën”, është shprehur Haki Abazi.