Në Kosovë, 1231 raste aktive me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit numri total i rasteve pozitive është 16.247 raste nga 75.288 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 648 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 33 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.368 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.231.

Ndryshe, një ditë më parë mikrobiologu kosovar Lul Raka në një intervistë për Telegrafin ka thënë se coronavirusi mund të bëhet endemik edhe në rastin e ndonjë vaksine.

Sipas tij në rastin konkret sëmundja nuk do ta kishte ndikimin e njëjtë në shoqëri sikurse sot.

“Vaksinën të cilën po e presim të gjithë, nuk do të mund të ketë efikasitet 100 për qind, sepse nuk ka asnjë vaksinë të tillë. Më e sukseshmja e cila i afrohet kësaj vlere është ajo kundër fruthit”, u shpreh Raka për Telegrafin.

“Ekspertët presin që efikasiteti i saj të jetë ndërmjet 70 deri në 80 për qind. Me gjasë që vaksina nuk do të jetë e përkryer, prandaj mund të ketë çdo vit raste sporadike me COVID-19, duke u bërë ndoshta endemik sikurse gripi. Në atë kohë nuk do ta ketë ndikimin në shoqëri siç e ka sot”, theksoi ai.