Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dënon ashpër përpjekjen e Qeverisë në largim për të cenuar rendin demokratik e kushtetues nëpërmjet vendimeve të saja. Vendimi i sapo marrë nga Qeveria në largim e Kosovës, është një akt i paligjshëm sepse shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Liria e lëvizjes dhe liritë tjera që preken nga masat e fundit të marra prej Qeverisë, janë të shenjta e të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njerëzve që ka miratuar Kosova.
Neni 56 i Kushtetutës së Kosovës për Të Drejtat dhe Liritë Themelore e shpreh qartë e pa ekuivok, “se shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme”.
Pra, qartazi kjo qeveri ka tejkaluar kompetencat e saja, përderisa ende nuk është aprovuar në Kuvendin e Kosovës shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme.
Partia Demokratike e Kosovës, është shprehur tashmë se Qeveria e Kosovës është treguar e vonuar, e mangët dhe neglizhente për sa i përket masave të marra për t’u përballur me pandeminë dhe ka propozuar shpalljen e Gjendjes së jashtëzakonshme, si hapin e duhur për t’u përballur siç duhet me kërcënimin e pandemisë. Por, kurrsesi nuk do të lejojë që kryeministri në largim, Kurti, të shfrytëzojë situatën për të shkelur shtetin e së drejtës, për ti dhënë vetes kompetenca që nuk i takojnë duke shkelur Kushtetutën.
Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërheqë këtë vendim anti-kushtetues dhe të mbështesë vendosjen sa më shpejt të Gjendjes së Jashtëzakonshme që do të mundësojë që masat anti-pandemi të ndërmerren në mënyrën ligjore.
“Neni 56 Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme:
1. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore që mbrohen me Kushtetutë, mund të bëhet vetëm pas shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme sipas kësaj Kushtetute dhe vetëm deri në masën sa është e domosdoshme nën rrethanat e dhëna. “