Gërxhaliu: Zvarritja e votimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, dëmtojë imazhin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka votuar të hënën  Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, pas shtat tentativave.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu e ka quajtur si ligj të vonuar dhe  që nuk do të ndikojë në lehtësimin  e efekteve negative të pandemisë për qytetarët.

“Një ligj që përjetoj me kohë amortizim moral, i vonuar në kohë në interes të qytetarit dhe biznesit, dëshmoj amoralitet politik në Kosovë, mosunitet dhe përqarje në mes të pozitës dhe opozitës por edhe në mes të partnerëve të koalicionit, ligj për kalkulime politike në interes të pushtetit dhe jo shtetit, jo qytetarëve dhe jo biznesit, por besoj që kjo pa përgjegjësi institucionale dhe kjo lojë me qytetarët dhe bizneset e Kosovës duhet të reflektoj në zgjedhjet e ardhshme kurdo që do të mbahen”, tha ai.

Sipas tij, debati ka qenë pa domethënie dhe për kalkulime politike.

“Një debat steril i pa argumentuar, i kalkuluar në interes të partive politike që e dëmtoj imazhin e Kosovës skajshmërisht në veçanti tek partnerët dhe miqtë ndërkombëtar. Populli sheh, populli dëgjon, populli mëson por edhe nuk e harron mungesën e dorës së shtetit në momentet më të vështira pandemike në Republikën e Kosovës”, ka thënë Safet Gërxhaliu.