Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka folur pas caktimit të masës së arrestit shtëpiak të kryetarit të Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova.
Mustafa në një konferencë për media tha se arrestimi i Haki Rugovës është bërë pa asnjë bazë ligjore dhe se ky arrest është kryer në ditën kur është raportuar për 100 ditëshin e Qeverisë, që sipas tij, dyshohet se ka pasur për qëllim njollosjen e Qeverisë.
“Në emër të LDK-së kërkoj të zhvillohet sa ma shpejt procesi gjyqësor, të vërtetohet bazueshmëria ligjore e akuzave ndaj Haki Rugovës, në qoftë se ky proces zhagitet, ne konsiderojmë se arrestimi, degradimi para opinionit si kryetar i komunës, si nënkryetar i LDK-së, si familjar është bërë me qëllime politike që ta dëmtojë atë personalisht dhe ta dëmtojë LDK-në. Arrestimi është kryer në ditën kur është raportuar për 100 ditëshin e Qeverisë, sepse ska asnjë aferë korruptive, dhe ne dyshojmë që është tentuar të njolloset kjo Qeveri”, tha Mustafa.
Gjykata Themelore në Pejë sot ka marrë vendim që t’ia caktojë masën e arrestit shtëpiak prej 1 muaji kreut të Komunës së Istogut, Haki Rugovës.
Rugova është arrestuar nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke u dhënë familjarëve tokë të komunës. Një gurëthyes është arsyeja e arrestimit të kryetarit të Istogut. Ai dyshohet se i dha në shfrytëzim një parcelë publike familjarëve të tij, të cilët ushtrojnë këtë veprimtari.