Kryeministri i Avdullah Hoti ka komentuar largimin e ministrit të Nismës Socialdemokrate, Vesel Krasniqi nga mbledhja e fundit e qeverisë.
Hoti ka thënë se për çdo pikë të rendit të ditës që propozohet në Qeveri duhet të jetë i bindur që janë në përputhje me ligjin.
Ndërsa ka shtuar se është në kompetencën e tij të plotë që të lëviz me rendin e ditës sa herë që ai dëshiron, pavarësisht a pajtohen ministrat.
“Po mundohemi t’i zgjidhim problemet brenda shtëpisë, por unë e kam përgjegjësinë si kryeministër të sigurohem që të gjitha pikat që i vendosim në rend dite të bindem që janë në përputhje me ligjin dhe sigurisht që mund të nxjerrin provokim në mbledhje të qeverisë. Sa herë që kam arsye të lëvizi me rendin e ditës unë e bëj këtë, pavarësisht a pajtohen ministrat apo jo”, tha ai në një intervistë për RTK-në.
Hoti ka folur edhe për mungesën e deputetëve në seancat e Kuvendit, e që po rezulton me dështimin e projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Thotë se koalicioni qeverisës është stabil.
“Mund ta vëreni nga punët që kemi bërë deri më tash. Sigurisht që kemi vështirësi dy-tre muajt e fundit për shkak të mungesës së deputetëve në seancat e Kuvendit, jo vetëm të opozitës, por edhe të pozitës, por nga veprimet që i kemi ndërmarr është evidente e qartë e stabilitetit dhe e një plani të punës që e kemi koordinuar me të gjithë partnerët e koalicionit. Kemi marr vendime që kanë qenë bukur të vështira, por që na kanë mundësuar që ne të pozicionohemi shumë mirë në relacione me miq tanë ndërkombëtarë. Fokusi ynë mbetet në luftimi ne pandemisë”, tha ai.