Rreth 8 mijë e 300 nxënës të shkollave të mesme në gjithë Kosovën, i janë nënshtruar testit të Maturës.
Këtë të shtunë në 84 qendra të testimit në Kosovë, është mbajtur afati i dytë i këtij testi. Edhe në këtë afat maturantët i janë nënshtruar testimit me masa kundër Covid-19, transmeton KOHA.
Ministri i Arsimit, Ramë Likaj përmes një statusi në Facebook, duke falënderuar të gjithë personelin e angazhuar për mbarëvajtjen e testimit, ka treguar se ka vizituar disa shkolla në komunën e Prizrenit dhe të Suharekës, për të parë nga afër testimin.
Ndërkohë që sipas një njoftimi të Ministrisë gjithçka ka përfunduar me sukses. Rezultatet e këtij testi do të bëhen publike më 16 tetor.