Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësimin e tij pasi Ambasada amerikane është tërhequr të premten nga procesi i mbikëqyrjes së zgjedhjes së anëtarëve të rinj në Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve.
“Jam thellë i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës”, shkroi Hoti në Facebook.
Sipas Hotit, Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, “po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun”.
“Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok”, thotë Hoti.