Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme vizitën e homologut të saj grek Nikos Dendias.
“Përkundër faktit që ka qenë shtet mosnjohës, në mesin e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, Greqia ka vënë standard të lartë të bashkëpunimit dhe konstruktivitetit ndaj Kosovës. Kjo vizitë është një sinjal i mirë se marrëdhëniet tona po thellohen, por edhe po ndërtohet një themel shumë i fuqishëm në funksion të ndërtimit të aspiratës tonë e cila shkon drejt njohjes”.
“Besoj që kjo është një ngjarje e rëndësishme për ne. Po ashtu, besoj që gjatë ditës do të kemi mundësi që me ministrin Nikos Dendias të diskutojmë në detaje modalitetet dhe fushat e interesit të përbashkët në të cilat do të mund të punonim për të thelluar dhe fuqizuar marrëdhënien bilaterale”.
Kryediplomatja kosovare ka thënë se miqësia e përbashkët që Kosova dhe Greqia e kanë me SHBA-të mund të ketë ndikim në marrëdhëniet mes të dyja vendeve.
“Miqësia e përbashkët e Kosovës dhe Greqisë me SHBA-të është një element shumë i rëndësishëm për ndërtimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bazamentit të marrëdhënieve tona edhe më të mira në të ardhmen”.
Meliza Haradinaj-Stublla këto komente i ka bërë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ku po e pret homologun e saj nga Greqia i cili pritet të arrijë pas pak minutash.
Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias gjatë vizitës në Kosovë do të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti, kryeparlamentaren Vjosa Osmani, si dhe do ta ketë edhe një takim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Meliza Haradinaj-Stublla.
Ai nuk do të mund të takohet me presidentin Hashim Thaçi, pasi ky i fundit është në vizitë në SHBA.